Rasti Ukë Rugova dhe të tjerët, gjykatës i fshihet procesverbali i seancës pas ndaljes së rrymës

Ndërprerja e energjisë elektrike në Pallatin e Drejtësisë, ka bërë që të ndërpritet për pak minuta seanca gjyqësore në rastin Ukë Rugova etj.

Pas rikthimit të energjisë elektrike në sallë, gjykatësja Fatime Dermaku tha se procesverbali i asaj çka kishte ndodhur në seancë deri në momentin e ndërprerjes së energjisë elektrike nuk është ruajtur.

Për këtë arsye, gjykata kërkoi ndihmën e monitoruesve në sallë që të konstatohet në proces ajo çfarë kishte deklaruar deri në momentin e ndërprerjes së rrymës, dëshmitari Fatos Mehmeti.

Pas kësaj, gjykatësja kërkoi nga dëshmitari të konfirmojë nëse ajo çfarë po konstatohet në procesverbal është ajo çka ka thënë më herët gjatë dëshmisë së tij. Po ashtu, edhe prokurorja Florije Salihu-Shamolli ka vazhduar t’ia ri-parashtrojë dëshmitarit pyetjet që i kishte bërë më herët gjatë seancës.

Ndryshe, përveç dëshmitarit Mehmeti në këtë seancë pritet të dëshmojë edhe dëshmitari Arben Hajdini.

Kjo lëndë ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica, mirëpo pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm, lënda tanimë gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.

Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija e tre të akuzuarit tjerë të lartcekur janë duke u gjykuar ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit Naime Krasniqi-Jashanica, në këtë formë gjykimi do të jetë më efikas, raporton “Betimi për Drejtësi.

Më parë, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit të tyre, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë./BetimipërDrejtësi/