Rasti “Panda”/ Dalin detaje nga ish i burgosuri i pafajshëm, në lot tregon çfarë bashkëpunimi i ofroi polici serb

Ishte vetëm 19-vjeçar kur Vllaznim Pergjegjaj u arrestua pafajësisht së bashku me disa shqiptarë tjerë si të akuzuar për vrasjen “Panda”.

Ai në emisionin n’Demos ka shpalosur për herë të parë detaje tronditëse nga mizoria e policëve serbë e ushtruar mbi të dhe shqiptarët e tjerë që u arrestuan për rastin në fjalë.

Me të ndodhur vrasja e 6 të rinjve serbë e malazezë në kafeterinë “Panda” në Pejë apo siç njihet tashmë rasti “Panda”, forcat e shumta serbe filluan arrestimet masive të shqiptarëve duke i akuzuar për këtë vrasje.

Në orën dy të mëngjesit të 15 dhjetorit të vitit 1998 u arrestua edhe Vllaznim Pergjegjaj.

Ai ka treguar tmerrin që ai dhe familja e tij e përjetuan atë natë kur forcat serbe i hynë në shtëpi duke ushtruar dhunë mbi babin e tij e më pas edhe mbi të.

Në orën dy të mëngjesit e kam dëgju një krismë, jam zgju ngadale. Kur kam shiku në dritare e kam pa krejt zi. Ish ardhë një tankë para shtëpisë e në qoshe të saj ishin vendosur autoblinda. Atë natë kanë qenë mbi 200-300 forca serbe. I thyen me dyer e me krejt, hynë ashpër në shtëpi dhe me fotografinë time në dorë duke pyetur ku është “filani”? Në prani të të gjithëve ma rrahën babain…“, tregoi kështu Pergjegjaj.

Pas torturave që ndodhën në shtëpinë e tij, ai arrestohet dhunshëm për tu dërguar në Stacionin Policor ku e priste tmerri i madh.

Kur jam dal jashtë shtëpisë më kanë mbuluar dritat e snajperëve mbi trup. Unë mendova që jam mbuluar me gjak, dhe aty mua më ka humb vetëdija pasi më kanë godit mbrapa në kokë. Në orën 5 të mëngjesit kemi qenë në Stacionin Policor. Aty kam qëndruar 3 ditë e 3 netë. Na kanë rrah çmendurisht. Kemi qenë të lidhur për radiator, kemi qenë të lidhur për tavoline, na kanë rrah në tona metodat… Kanë përdorur çdo dhunë për me na detyru me pranu vrasjen“, tregoi kështu ai vetëm fillimin e mizorisë që kishte përjetuar nga forcat serbe si një shqiptar i arrestuar për vrasjen e 6 të rinjve serbë e malazezë.

Ditët e arrestimit për Pregjegjajn ishin ditë tmerri. Policët ia kishin thyer hundën e poashtu edhe këmbën. Si të mos mjaftonte kjo ata i dhanë denime barbare që duhej t’i kryente çdo ditë.

Polici më tha, je i dënuar 30 ditë me qëndru në këmbë dhe 100 herë në ditë duhesh me i ra murit me kokë. Me thanë drejtë më dukej se edhe muri është bërë vrimë (nga goditjet e forta)“, tregoi ai.

Në ditën e tretë të arrestimit Pregjegjaj merr një ofertë bashkëpunimi nga një pjesëtar i Policisë Serbe, ofertë kjo e cila thuhet se mund t’i shpëtonte jetën. Por, ai vendosi të mos i akuzoj pafajësisht shokët e tij dhe ta pranoj vdekjen ani pse ishte vetëm 19-vjeçar dhe mendja e tij mund të ndikohej nga kjo ofertë.

“Në ditën e tretë, më është ofruar Zorani (pjesëtari i Policisë Serbe) dhe me tha: Vllaznim, a po të vjen gjynah prej vetit? -I thash: Pse? -Më tha: Kqyre vetën… -I thash: Jo kqyre ti, çka më keni bërë mua. -Aty më tha: A po vjen e bëjmë një bashkëpunim, unë ty me të liru sot dhe ti me na dhënë informacione në të ardhmen neve? Unë ia nisa me keshë. Isha i llomitur, më binte mishi… Më shumë isha pa vetëdije se me vetëdije, dhe i thash: Oh ti Zoran, bashkëpunëtor tu mundesh me gjetë diku tjetër, unë kam vendos me vdek këtu. Më tha: Ti vendose mos me bashkëpunu me neve, tash rruga jote përfundon në ferr”, ishte kjo biseda e tij me policin serb.

Sa ditë vuajtje i kaloi në burg, çfarë tmerri pa me sytë e tij, pse dhe si u akuzua edhe për vrasjen e dy policëve të Deçanit, çfarë ndodhi pas refuzimit të ofertës, kush e shpëtoi atë dhe shokët tij nga ekzekutimi që dyshohet se i priste në mbrëmje, këto e shumë detaje tjera tronditëse mund t’i dëgjoni në linkun më poshtë. /GazetaDemos/

Paralajmërim, rrëfimi i tij përmbajnë detaje të rënda: