Rasti ku babë e bir po akuzohen për vrasje të rëndë, zyrtari policor tregon se çka kishte thënë viktima në Polici

Me dëgjimin e zyrtarit policor në cilësi të dëshmitarit, Agon Haxhaj, ka vazhduar seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku i njëjti ka thënë se tani i ndjeri Abit Jashari në polici kishte deklaruar se i akuzuari Baki Shkodriqi e kishte kanosur me armë.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Hoxhaj e bëri në gjykimin ku Baki Shkodra e Besnik Shkodra akuzohen për vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në shkurt të 2019-ës, në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Jeton Osmani, Haxhaj ka thënë se në natën kritike kishte qenë njësi e vetme patrulluese dhe pasi që ishte njoftuar se ishin paraqitur disa palë, kishte shkuar në stacion policor.

Ai ka thënë se kishte dëgjuar që tani i ndjeri Abit Jashari kishte deklaruar se i akuzuari Baki Shkodriqi e kishte kanosur me armë.

“Nuk më kujtohet specifikisht natyra e kërcënimeve, por ka thënë se është kërcënuar me armë, kjo pjesë më kujtohet”, ka deklaruar ai.

Dëshmitari shtoi se në bisedë e sipër me mbikëqyrësin Naser Berisha, kishte kuptuar që tani i ndjeri kishte thënë se e kishte rrahur tani të akuzuarin Besnik Shkodriqin.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Shkodra, avokatit Skender Musa,  ai ka thënë se Abit Jashari kishte ardhur në polici dhe e kishte paraqitur një rast që e kishte rrahur tani të akuzuarin Shkodriqi, për të cilin rast ai tha se me urdhrin e udhëheqësit të ndërrimit Naser Berisha, e kishin përpiluar një raport, por nuk kishin iniciuar rast.

“Nuk kemi iniciuar rast ndaj Abit Jasharit, vetëm kemi përpiluar raport për operativ sipas udhëzimeve të shefit. Dhe ka mundësi që në atë raport i kemi shënuar fjalët e Abitit që ka thënë se e ka rrahur Besnikun”, ka thënë ai

Pas deklarimit të tij, mbrojtja ka pasur vërejtje pasi sipas tyre çdo gjë që ka thënë, e që sipas tyre ka qenë esenciale, i njëjti e ka bartur te përgjegjësi kujdestar i asaj nate, i quajtur Naser Berisha.

Pas kësaj, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Shyqeri Musa, i cili ka deklaruar se me të akuzuarin Baki Shkodriqi ka qenë në marrëdhënie shoqërore për një kohë të gjatë, ndërsa tani të ndjerin Abit Jshari e kishte njohur përmes tij.

Ai tha se i ndjeri Abit Jashari nga ai kishte kërkuar 1 mijë e 500 dollarë si hua, por i njëjti nuk i kishte ndihmuar pasi që nuk e kishte njohur.

“Më kujtohet se në vitin 2018 më ka kërkuar para hua Abit Jashari, përafërsisht në muajin nëntor apo dhjetor më ka thirrë me telefon Abiti, jemi takuar në një kafene afër punës time, kemi pi kafe dhe kemi ndenjur 10-15 minuta dhe m’i ka kërkuar 1 mijë e 500 dollarë, edhe i kam thënë që nuk kam mundësi me t’i dhënë, se nuk e kam njohur mirë”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari Musa ka deklaruar se i ndjeri Abit Jashari pas disa muajve e kishte telefonuar përsëri dhe kishte kërkuar që të dy së bashku të shkonin te tani i akuzuari Baki Shkodriqi dhe t’i tregonin se paratë nuk ia kishte kërkuar në emër të tij.

“Në dhjetor kur më ka thirrë në telefon dhe ka thënë a apo vjen shkojmë te Bakia pimë kafe, a po e marrim Bakinë e shkojmë pimë kafe, nuk më kujtohet saktë, i thashë nuk muj se jam i zënë me punë. Por, më tha se duhesh me ardhë me shku te Bakia dhe m’i thanë që unë nuk jam ardhë në emrin e Bakisë me kërku pare, në ato momente s’jam i sigurt se çka kam thanë, e di që i kam thënë me dijeninë tem nuk t’kam borxh as ty as Bakisë, e as nuk të jepi llogari as ty e as Bakisë për pare të mia dhe kaq më kujtohet edhe ia kam mbyll telefonin”, ka deklaruar ai.

Musa ka shtuar se nuk e di se si kanë qenë marrëdhëniet ndërmjet Abit Jasharit me të akuzuarit, si dhe marrëdhëniet ndërmjet të akuzuarve.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Shyqeri Musa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar dhe mbrojtja kanë pasur pjesërisht vërejtje në deklarimet e tij.

Ndryshe, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Osmani në fillim të seancës ka hequr dorë nga propozimi për dëgjimin e dëshmitares Sahara Fazliu, pasi sipas tij nuk ka mundur ta sigurojë adresën dhe as të komunikojë me të.

Po ashtu, kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti e ka aprovuar edhe propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Shkodriqi, avokatit Musa, që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 14 korrik 2022, në të cilën ditë pritet të bëhet edhe rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.