Rasti i Mandatarit: Arkiva thotë se dokumentet që i kërkoi Vjosa Osmani janë origjinale dhe autentike

Arkiva e Kosovës për Gazetën Express thotë se dokumentet të cilat ia kanë dhënë Vjosa Osmanit kanë vulën e autenticitetit dhe janë origjinale, ndonëse kryetarja e Kuvendit hedh dyshime mbi to. Këto dokumente mund t’i hedhin dritë dilemës më të madhe kushtetuese, atë të mandarit për formimin e  Qeverisë.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar Gjykatës Kushtetuese materialin bruto gjatë hartimit të Kushtetutës. Në këto dokumente mund të dëshmohet ajo që mungon në Kushtetutë lidhur me çështjen e mandatarit. Sipas këtyre dokumenteve, Presidenti, pas mocionit të mosbesimit, mund t’ia jap mandatarin sërish partisë së parë, e cila ka afat 10 ditë që ta propozojë kandidatin për kryeministër.

“Nëse është votuar mocioni i votëbesimit për kryetarin e Qeverisë apo Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe kryetari i Kosovës emëron mandatarin e ri në afat prej 10 ditësh”, shkruan në ato që quhen “Travaux preparatories” të Komisionit që hartoi Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Kuvendit dokumentet që dëshmojnë se si është hartuar Kushtetuta, për t’i shfrytëzuar në përgatitjen e aktgjykimit për dekretin e Presidentit, i cili ka mandatuar për kryeministër Avdullah Hotin nga LDK, si parti e dytë e dalë në zgjedhjet parlamentare.

Në letrën e saj, që e ka publikuar Koha Ditore, kryeparlamentarja Osmani thotë se nuk mund të garantojë se dokumentet që i ka marrë nga arkiva janë origjinale.

Me qasjen e Osmanit  në këtë letër, vihet në dyshim kredibiliteti i këtyre dokumenteve e madje në hartues anonim që e citon Koha Ditore, i cilëson si jozyrtare dokumentet që Kushtetuesja planifikon ta përdorë për të arritur në një përfundim për cështjen më të diskutueshme e më të interpretueshme në vend, atë të mandatarit për Kryeministër.

Ruzhdi Panxha, drejtor i departamentit për Veprimtarinë Arkivore në Agjencinë Shtetërore të Arkivës, në një bisedë për Gazetën Express ka dhënë detaje për dokumentacionin në fjalë që nga momenti kur ato i janë dhënë Arkivë së Shtetit.

Panxha thotë se dokumentet e quajtura “punime përgatitore” gjatë hartimit të Kushtetueses, i kanë përpunuar dhe sistemuar në Arkivë, pa asnjë ndërhyrje.

“Në nëntor të vitit 2014, e kemi pranuar dokumentacionin e Komisionit Përgatitor për Hartimin e Kushtetutës. Ai dokumentacion ka ardhur nga Zyra e Kryeministrit, dorëzuesi i këtij materiali është Zyra e Kryeministrit. Me pranimin e atij materiali, në periudhën dhjetor, janar shkurt, prej një grupi prej 6 punëtorëve profesionalë u janë nënshtruar rregullimit, sistemimit dhe përpunimit të dokumenteve, të atij materiali. Si vendim profesional është marrë që asnjë dokument të mos asgjësohet. Kështu që, është i ruajtur tërë dokumentacioni që është pranuar  në arkiv”, thotë Panxha.

Drejtori i Veprimtarive Arkivore thotë se Kuvendit i është dorëzuar dokumenti origjinal, i cili mban vulën e Arkivës.

“Arkivi dokumentacionin e ofron ashtu sic e ka marrë. Institucionet e tjera janë ato që e vlerësojnë dokumentin se a është origjinal apo ka pasur ndërhyrje. Ne me përgjegjësi ligjore dhe profesionale themi se nuk ka pasur kurrfarë ndërhyrje”.

“Kuvendit të Kosovës i ka ardhur shkresa javën e kaluar se e kanë marrë kopjen prej neve. Ne i kemi dhënë të gjitha kopjet me vulë të autenticitetit, që kanë dalë prej origjinalit që e posedojmë ne. Çdo dokument, çdo kopje, e kemi vulosur me vulë të arkives”, ka treguar ai.

Një nga hartuesit e Kushtetueses, siç e citon Koha Ditore, ka thënë se këto dokumente nuk mund të merren si zyrtare, pas heqjes së përgjegjësisë Kuvendit për autenticitetin e tyre dhe se pasi nuk janë publikuar në Gazetën Zyrtare. Panxha thotë se, sipas Ligjit për Arkiva, çdo gjë që mban vulën e saj, konsiderohet si zyrtar.

“Në bazë të ligjit për Arkiva Shtetërore, çdo dokument që vuloset, që del prej arkivit, ai konsiderohet si dokument zyrtar”, tutje shton se “validitetin dhe anën juridike janë institucione të tjera që e caktojnë. Në Gazetën Zyrtare publikohet versioni përfundimtar i dokumentit”

Në këtë material ka propozime edhe të qytetarëve fizikë. Tash a janë përfshirë

Dokumentet punuese, thonë nga Arkiva e Shtetit, që i janë dhënë Institucionit të Avokatit të Popullit, kur i ka kërkuar, ashtu siç i janë dhënë edhe institucioneve të tjera.

Panxha tregon se përmes një organizata ku ka vepruar, dokumentet e njëjta i ka kërkuar edhe Fortuna Sheremeti, e cila tash është këshilltare e Kryeministrit Albin Kurti.

Ndryshe, Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Avdullah Hotin e LDK’së për ta formuar Qeverinë, pasi ka konsideruar se LVV nuk i është përgjigjur kërkesës së tij për propozim të emrit të ri për kryeministër, pas rrëzimit të Albin Kurtit më 25 mars.

Pas publikimit të dekretit të presidentit për mandatim të Hotit, Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykata Kushtetuese këtë vendim të Thaçit, duke e konsideruar se ka anashkaluar partinë e Kurtit, si fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit dhe pritet që deri më 29 maj të dalë me aktgjykim rreth kësaj çështjeje.