Rasti i logopedit, Oda e Infermierëve i reagon ShSKUK-së: Askush pa licencë s’mund të aplikoj për punë

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës të dielën reagoi pas rastit të logopedit nga Gjilani, Iljasa Fazliu, që është edhe ushtrues i detyrës së shefit të defektologjisë në ORL. Në këtë reagim thuhet se për mungesën e licencës, është dashur t’i lajmërohetn institucionet nga Oda e Mjekëve dhe ajo e Infermierëve. Por Oda e Infermierëve tha se nuk ka obligim një gjë të tillë.

ShSKUK dhe Oda e Infermierëve të Kosovës janë përplasur për rastin e logopedit, Iljasa Fazliu, që tanimë ndodhet në paraburgim nën dyshimin se ka abuzuar psiqikisht me një vajzë 3-vjeçare. Fazliu është edhe ushtrues i detyrës së shefit të defektologjisë në klinikën e Otorinolaringologjisë.

Fazliu nuk ka pasur licencë të punës, për çka ShSKUK tha se është dashur të informohen nga Oda e Mjekëve ose nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

“Sa i përket mungesës së licencës së punës, lëshimi i tyre është në kompetencë të Odave përkatëse, Odës së Mjekëve  për mjekë dhe Odës së Infermierëve për profilet tjera, për çka të njejtit duhet të lajmërojnë institucionet”, thuhet në reagimin e së dielës nga ShSKUK.

Mirëpo OIK thotë se nuk e kanë obligim një gjë të tillë. Në një përgjigje për Gazetën Express nga OIK kanë thënë se nuk kanë informacione se a kanë licencë valide institucionet publike apo private, derisa shtojnë se pa qenë i licencuar asnjë person nuk mund të aplikoj për punë “e lëre më të fillojë punën”.

“OIK nuk ka informacione për të punësuarit në institucione publike apo private nëse të njejtit kanë apo jo licencë valide. Është detyrë e institucioneve përkatëse që të kërkojnë licencat e punës për gjithë të punësuarit. Asnjë i punësuar nuk mund as të aplikoj e lëre më të fillojë punën në një institucion publik apo privat pa qenë i licencuar”, kanë thënë nga OIK.

Nga ky institucion thonë se nuk kanë obligim të njoftojnë institucionet për mungesën e licencës te punëtorët.

“OIK nuk ka asnjë obligim të njoftojë në mënyrë vetanake institucionet sepse mbikqyrjen e bën inspektorati shëndetësor në gjitha institucionet, private dhe publike dhe aty ku gjen të punësuar pa licenca i drejtohet OIK për ndërmarrjen e masave adekuate”, thuhet në përgjigje.

OIK ka bërë edhe një reagim në faqen e tyre në Facebook, ku thonë se “reagojën ashpër ndaj deklaratave të pamatura të menaxhmentit të SHSKUK-së me ç’rast përgjegjësinë për mos verifikimin e mbikqyrjes së kualifikimeve profesionale të stafit të saj mundohet t’ia atribuojë Odave të profesionistëve shëndetësorë”.

“OIK ka të dhëna dhe regjistra të saktë për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të licencuar, mirëpo ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi nëse ata operojnë apo fitojnë në konkurse pa pasur licencat përkatëse. Është përgjegjësi e institucioneve që të mos mbajnë profesionistë shëndetësorë të pa licencuar në institucionet e tyre”, thuhet në postim.

OIK “i ka bërë thirrje menaxhmentit të SHSKUK-së që të tërheqë këto deklarata të pamatura dhe të kërkojë falje publike odave të profesionistëve shëndetësorë”.

Ndaj deklaratës së ShSKUK-së ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.

Sipas OMK-së, komunikata e SHSKUK-së është “tentim që në mënyrë për ta mbuluar paaftësinë e menaxhimit, ta hedh fajin në organizata profesionale të cilat kanë përgjegjësi dhe komptetencë vetëm për procedurat shqyrtuese të shkeljeve të mundshme të Kodit të Etikës dhe Deotologjisë Mjekësore dhe jo të menaxhojë dosjet e personelit të SHSKUK-së dhe për emërimet e menaxherëve”.

Iljasa Fazliu dyshohet se e ka abuzuar psiqikisht një 3-vjeçare të diagnostikuar me autizëm, për çka më pas u sulmua fizikisht nga dy familjarë të fëmijës. Që të tre personave dje u është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.

Fazliu po vazhdon të mbesë i shtrirë në spitalin e Gjilanit, derisa për gjendjen e tij ka folur drejtori i këtij spitali, Arsim Emini.

“Në spital është me hipertension dhe me sheqer, ndodhet në repartin e Internos. Ai nuk po qëndron i shtrirë për shkak të traumës fizike, por pardje është pranu në spital me sheqer të rritur dhe shtypje të lartë të gjakut. Gjendjen e ka stabile”, tha doktor Emini.