Rastet kur policia mund të ju dënojë për mosrespektim të masave anti-COVID

Kosova sikurse edhe vendet tjera të botës është duke vazhduar përpalljen me pandeminë COVID-19.

Javëve të fundit në vendin tonë, kemi pasur një ulje të rasteve të pacientëve të infektuar me këtë virus, e po ashtu edhe ulje të rasteve të vdekjes.

Por, pavarësisht këtij normalizimi të lehtë të situatës epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ende mbeten në fuqi disa nga masat për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, siç është bartja e maskës.

Mosbartja e maskës nga qytetarët dhe mosrespektimi i disa masave tjera mund të pasojë me ndëshkim me gjobë, kjo sipas Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti, ka publikuar një video, ku tregohet me shembuj se sa mund të dënohet një qytetarë për mosrespektim të masave anti-COVID.

“Mosrespektimi i distancës dhe mosmbajtja e maskës gjobitet me 35 euro. Nëse qytetari i infektuar tenton ose qarkullon jashtë izolimit dënohet me 500 euro gjobë. Me 500 euro dënohet edhe ai qytetar i cili refuzon mjekimin dhe karantinimin kur hyn në Kosovë”, thuhet në këtë video.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se pavarësisht uljes së rasteve, janë duke i bërë përgatitjet e duhura për fazën e vjeshtës dhe dimrit për të parandaluar infektimin me COVID-19.