Kombëtarja e Kosovës në futboll sot ka mbajtur seancën e dytë stërvitore para dy ndeshjeve kualifikuese.

Në këtë seancë u panë edhe dy lojtarët e Superligës së Kosovës, Festim Alidema dhe Armend Thaçi, ndërkaq i vetmi që mungoi ishte Benjamin Kololli.

FFK nuk kishte bërë me dije se pse janë ftuar këta dy lojtar por mësohet se këta futbollistë janë thirrur vetëm për të luajtur një ndeshje kontrolluese të Përfaqësueses, e cila ishte ndarë në dy grupe. Pas stërvitjes në konferencë për shtyp dolën lojtarët Anel Rashkaj dhe Vedat Muriqi. I rikthyeri tek Përfaqësuesja e Kosovës, Anel Rashkaj tha se është shumë optimist se në këto dy ndeshje do të marrim rezultate pozitive, duke marrë parasysh ndeshjet e mëparshme të cilat i ka zhvilluar Kosova.

“Nëse marrim parasysh ato ndeshjet që kanë qenë më herët të përfaqësueses, domethënë që duhet me qenë optimist pasi kanë qenë ndeshje mjaft të mirë. Mendoj që kundër Bullgarisë ka qenë një ndeshje shumë e mirë, vetëm që kanë munguar 3 pikë. Nëse marrim parasysh ato paraqitje, atëherë duhet të jemi optimist. Së pari është kënaqësi që jam pjesë e këtij grupi, pastaj siç thua ti ka disa lojtarë të rij, të cilët nuk kanë qenë atëherë kur kam qenë unë. Mendoj që kualiteti është shumë i lartë tash, pastaj shumicën e tyre e njoh edhe nga më herët, domethënë që kamë përcjell të gjitha ndeshjet këto vite, kështu që shumicën i njoh dhe më kanë pritur shumë mirë”, u shpreh Rashkaj. Edhe sulmuesi Vedat Muriqi kishte të njëjtin mendim si të bashkëlojtarit të tij. Ai ndër tjerash tha se në këto dy ndeshje do të futen për pikë të plota dhe asnjë rezultat tjetër nuk do ta kënaq atë.

“Besoj se në këto dy ndeshje siç mendojnë shumica, na mjaftojnë dy pikë, unë besoj se mundet mos me na mjaftu pasi që i kemi kundërshtarët shumë të fortë në grup, si Anglia dhe Çekia, kështu që ne jemi duke shkuar në Mal të Zi për të marrë pikët e plota, po ashtu edhe në Bullgari, dhe kemi një grup jashtëzakonisht të mirë, dhe jashtëzakonisht në formë dhe shpresoj që kemi me arrit me marr pikë të plota”, tha fillimisht Muriqi, raporton Kosovapress.Kujtojmë që Kosova me datën 7 qershor do të ndeshet me Malin e Zi, ndërsa me datën 10 qershor do të ndeshet me Bullgarinë.