Trajneri i Milot Rashicës në Werder Bremen, Florian Kohfledt, ka bërë të ditur se kosovari është kthyer në stërvitje dhe tani po ndihet më mirë, pas lëndimit që kishte pësuar në ndeshjen e kaluar, që i shkaktoi dhimbje në shpinë.
Këtë lëndim e kishin komentuar dje drejtori sportiv i Bremenit, Frank Baumann, trajneri Kohfledt dhe vet Rashica.
Për shkak të këtij lëndimi, ishte vënë në dyshim nëse Rashica do të mund të paraqitej në ndeshjen kundër Herthas, e cila do të zhvillohet më 16 shkurt. Por, trajneri Kohfeldt ka dalë me lajmë të mira për kosovarin, pasi që zbuloi se ai i është kthyer stërvitjeve.
“Rashica është kthyer në stërvitja të plota dje dhe tani po ndihet më mirë. Ai ka shumë përvojë këtu. Ai është mësuar me këtë ligë, i ka tejkaluar sfidat sa i përket taktikave të reja dhe e ka mësuar pozitën e tij. Ai i ka bërë të gjithë këto në mënyrë brilante”, ka thënë trajneri Kohfeldt, kur u pyet për gjendjen shëndetësore të Rashicës.
“Personalisht, nuk mendoj se ai e ka përfunduar zhvillimin e tij ende. E dinim potencialin e tij që na fillimi. Ai gjithmonë në pozitë për të na i fituar ndeshjen”.
Anësori i ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashica, e nisi një të dielën e kaluar në mënyrën më fantastike të mundshme, duke i shënuar dy gola shumë të bukur brenda më pak se gjysmë ore kundër Augsuburgut në Bundesligë.
22-vjeçari hapi serinë e golave për Bremenin pas vetëm pesë minutave lojë, kur shënoi pasi trullosi një mbrojtës kundërshtar dhe futi topin në rrjetën e portës duke e bërë portierin të hidhet në krahun e gabuar.
Kur akrepat shënonin 28 minuta lojë, Rashica mori një top pothuajse në gjysmë të fushës nga krahu i majtë, u fut në zonë duke e nxjerr një tjetër mbrojtës nga loja dhe shënoi në qoshen e majtë të portierit me një supergoditje.
Por, vetëm tetë minuta më vonë, ai ndjeu dhimbje shpine, problem të cilin e kishte edhe disa javë më parë, dhe u zëvendësua për t’i ikur më të keqes.







