Borussia Dortmundi i ka nisur bisedimet me Werder Bremen për Milot Rashicën, sipas mediave gjermane. Dortmund ka për qëllim ta blejë yllin kosovar për ta zëvendësuar Jadon Sanchon, i cili pritet të largohet këtë verë.
Rashica pritet të largohet nga Werderi sapo të hapet afati kalimtar i verës, gjë të cilën nuk e ka përjashtuar as menaxheri i tij, Altin Lala, i cili javë më parë e pranoi se disa klube nga Bundesliga e kanë kontaktuar për shërbimet e vushtrriasit.
“Para koronavirusit, ne ishim në kontakte me disa klube, përfshirë këtu ato nga Bundesliga. Për momentin, gjithçka ka mbetur pezull. Por, jam i sigurt se sapo të kthehemi në normalitet, do të ketë lëvizje në këtë drejtim. Diçka do të ndodh patjetër”, kishte thënë Lala për televizionin gjerman Sport 1.
Rashica i shënoi 12 gola dhe i dhuroi gjashtë asiste në 30 ndeshje për Werderin sezonin e kaluar në Bundesligë.
Ndërsa këtë sezon, ai i ka regjistruar 10 gola dhe pesë asiste në 24 ndeshje deri tani.
Vlera e anësorit të Kombëtares së Kosovës në treg ka rënë për shtatë milionë euro, nga 35 në 28 milionë euro, si pasojë e pandemisë koronavirus.







