Golashënuesi i vetëm i Kosovës në ndeshjen e mbrëmshme kundër Malit të Zi, Milot Rashica, është ndarë i zhgënjyer me barazimin 1-1 të së premtes, mirëpo tani ka bërë të ditur se do të përqendrohet te ndeshja e radhës, kundër Bullgarisë.

Kosova u ndal me barazim 1-1 nga Mali i Zi në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, pasi dështoi t’i konkretizojë rastet e shumta në një takim që u zhvillua pa shikues në stadiumin e qytetit në Podgoricë.

Verdhekaltrit e patën epërsinë minimale falë një goli nga Milot Rashica, por nuk munden ta ruajnë atë pasi vendasit e barazuar rezultatin kur Stefan Mugosa realizoi me kokë njëzet minuta para fundit.

Rashica e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Instagram për ta komentuar këtë ndeshje.

“Nuk arritëm rezultatin qe dëshironim por luftuam deri në fund. Fokusohemi për ndeshjen e radhës. Kosova, krenarë”, ka shkruar Rashica në Instagram.

https://www.instagram.com/p/BycZpN3okBh/

Të hënën, “Dardanët” do të përballen sërish me Bullgarinë në Sofje. Nëse Kosova e fiton këtë ndeshje dhe Republika Çeke humb ndaj Malit të Zi, skuadra e Challandes do të ngritet në pozitën e dytë.

Megjithatë, skuadra e Challandes nuk do ta ketë të lehtë ta arrijë këtë qëllim, pasi që as në “Fadil Vokrri” nuk kishte arritur të siguronte fitore kundër Bullgarisë, përkundër që e kishte dominuar ndeshjes. Rezultati përfundimtar kishte qenë 1-1 në atë ndeshje të marsit.

Bullgaria ka radhitje më të mirë sesa Mali i Zi në ranglistën e FIFA-s. Ajo radhitet në pozitën e 51-të, apo dy pozita më lart sesa malaziasit. Në anën tjetër Kosova radhitet në pozitën e 127-të.

Kosova mund ta sigurojë një vend në EURO 2020 edhe nëse nuk e zë njërën ndër dy pozitat e para në Grupin A. “Dardanët” e kanë edhe një rrugë të dytë për ta arritur qëllimin, përmes play-offs kualifikues, ku e siguroi një vend me triumfin në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve