Rashica: I lumtur që po kthehem ta bëj atë që më pëlqen

Milot Rashica e ka lënë prapa krahëve lëndimin e fundit.

Anësori kosovar mbeti jashtë fushës së blertë për më shumë se tri javë, duke i humbur tri ndeshje të Bundesligës.

Gjithashtu, vushtrriasi nuk mundi ta ndihmonte as kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e shtatorit, ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë.

Megjithatë, 23 vjeçari ka ushtruar këtë javë me grupin dhe është i gatshëm të rikthehet për ndeshjen e së shtunës ndaj Leipzigut.

“I lumtur që po kthehem në fushën e blertë, për ta bërë atë që më pëlqen ta bëj”, ka shkruar Rashica në rrjetet sociale.

Përfaqësuesi kosovar pritej të rikthehej javën e kaluar, por stafi mjekësor i Werder Bremenit nuk deshi të rrezikonte.

Edhe drejtori sportiv i klubit gjerman, Patrick Baumann e ka konfirmuar rikthimin e futbollistit anësor këtë fundjavë.

Rashica është lojtari kryesor i klubit nga Bundesliga.

“Dardanët” e presin kontributin e Rashicës për ndeshjen e rëndësishme të tetorit ndaj Malit të Zi, në kuadër të kualifikimeve të Euro 2020.

loading…