Rashica aktivizohet në pjesën e dytë në humbjen nga Chelsea, Broja zëvendësohet në disfatën e Southamptonit

Milot Rashica dhe Armando Broja janë paraqitur sonte me skuadrat e tyre në Premierligë.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica është aktivizuar në fillim të pjesës së dytë në disfatën e Norwich Cityt në shtëpi nga Chelsea.

Norwich që nuk po kalon një edicion të mirë në elitën e futbollit anglez u mposht 1:3 nga “Blutë” e Londrës të drejtuar nga Thomas Tuchel.

Norwich është i fundit në renditjen tabelore me 17 pikë, kurse Chelsea pozicionohet në vendin e tretë me 56 pikë.

Më shumë minuta se Rashica, kishte sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja.

“Bomberi” shqiptar u aktivizua nga minuta e parë për Southamptonin në humbjen 1:2 nga Newcastle United.

Megjithatë, ndeshja për Brojën mori fund në minutën e 73-të kur liroi vendin për bashkëlojtarin e tij, Armstrong.

Southamptoni ndodhet në vendin e 10-të me 35 pikë, ndërsa Newcastle ka 31 pikë në pozitën e 14-të.