Vladimir Bilçik

Raportuesi për Serbinë në PE kërkon “hetim të plotë” për Banjskën nga Beogradi, godet edhe Kurtin për Asociacionin

Raportuesi për Serbinë në Parlamentrin Evropian, Vladimir Bilçik, duke folur për zhvillimet në fundit, e në veçanti pas sulmit ushtarak nga paramilitarët që u shfaqën në Banjskë të Zveçanit, ka kërkuar që Beogradi “të kryejë një hetim të plotë dhe të sinqertë” ngase, siç tha ai, “koncentrimi aq i madh i resurseve dhe armëve nuk ka mundur të bëhet nga individë”.

“Marrë ngjarjet e fundit do të kërkohet një hetim i hapur për çka ndodhi në Banjskë. Në të vërtetë, kjo është diçka gjerësisht në duart e Serbisë dhe Beogradit. Gjithashtu, këto ngjarje nuk duhet të përdoren dhe keqpërdoren. Na duhet po aq përkushtim nga Beogradit po aq sa ne nevojitet nga Prishtina”, ka thënë Bilçik, siç e citoi Pobjeda.

Europarlamentari sllovak ka vlerësuar edhe se themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe është i nevojshëm për normalizim të veriut, teksa ka goditur edhe Kurtin si “skajshmërisht të vështirë”.

“Kjo është një çështje që Beogradi po kërkon dhe që ne kemi pritur nga Prishtina që ta zgjidhë. Por, këto negociata kanë qenë skajshmërisht, skajshmërisht të vështira me Albin Kurtin”, ka thënë ai.

“Dhe, këtë e them si dikush që është tejet i hapur si kritik ndaj Serbisë në shumë çështje, por mendoj se kur jemi te dialogu, neve na duhet që me kujdes të madh të shohim situatën si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë”, ka thënë Bilçik.

Pyetur se kusht është për t’u fajësuar për ngjarjet në Banjskë, raportuesi evropian tha se kurrë nuk është “vetëm bardhë e zi” dhe se “situata është mëse e komplikuar”.

“Duhen dy për tango dhe fotografia nuk është bardh e zi, por situata është shumë komplekse. Por e vërteta është – ka tensione në rritje në rajon. Ka pasur një ndjenjë në rritje të presionit të vërtetë në jetën e përditshme, veçanërisht te serbët e përqendruar në veri, të cilët shpesh ndihen të braktisur, të vetmuar dhe në të vërtetë në një pozitë shumë, shumë të pasigurt se si të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme dhe kjo është rezultat i faktit se nuk ka përparim në dialog. Këtu dua të theksoj përsëri se ekziston një zgjidhje relativisht e shpejtë diplomatike që do të ndihmonte në uljen e tensioneve, dhe kjo është punë serioze në Asociacionin e Komunave (të banuara me shumicë) Serbe, kjo do të tregonte përkushtimin e Prishtinës dhe nëse kjo do të ndodhte, mendoj se do të shihnim përparim në dialog”, tha Bilçik.

“Unë nuk do të nxjerr asnjë përfundim. por ai hetim (për sulmin në Banjskë) duhet të jetë i plotë, drejtësia duhet të vendoset dhe ne kemi disa përgjigje të besueshme për atë që ka ndodhur. Mendoj se Serbia ka fituar kredibilitet ndërkombëtar në vitet e fundit, në aspektin e angazhimit praktik për dialog, ndryshe nga qeveria e udhëhequr nga Aljbin Kurti në Kosovë, që prej ardhjes së tij në pushtet, gjithnjë e më shumë ka dilema për përkushtimin e qeverisë për dialog. ,Ka gjëra që duhet të zgjidhen në terren në dialog, sepse nuk bëhet fjalë për njohjen si pikënisje, por për përpjekjen për zgjidhjen e çështjeve praktike për jetën e përditshme të njerëzve që jetojnë në Kosovë, në mënyrë që ata të ndihen të sigurt dhe të gjitha këto gjëra vërtet duhet të jenë në fokus të dialogut dhe mendoj se një pjesë e rëndësishme e përgjigjes është Asociacioni i Komunave Serbe. Pra, është me të vërtetë një problem nga ana e Prishtinës”, thotë Bilçik.