Reforma në drejtësi ka dështuar. Në mandatin e Qeverisë Kurti II nuk u arrit asnjë lëvizje përmbajtjesore në lidhje me reformën e shumëkërkuar. Ligjet u përpiluan keq e u rrëzuan, më pas ankesa, akuza, luftë politike. Rezultati zero. Ligji për Këshillin Prokurorial, Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, janë vetëm dy nga lidhjet kryesore të reformës së proklamuar, që janë rrëzuar tërësisht nga Gjykata Kushtetuese.

Në lidhje me dështimin e kësaj reforme gjatë ditës së hënë, Instituti për Drejtësi në Kosovë ka publikuar një raport të titulluar “Problemet e reformës në drejtësi”. Aty u paraqiten ngecjet në këtë proces, ku kryefjalë isht mosbashkëpunimi i Minitrisë së Drejtësisë me institucionet përkatëse. Si zakonisht vet minstrja Haxhiu, nuk reflektoi mbi këtë raport. Ajo e kundërshtoi madje duke përdorur edhe fjalë si “mungesë e informacioneve”.

Çka ndodhi?

KGJK, KPK, Gjykata Supreme e Kryeprokurori i shtetit në mars të vitit 2023 kishin nëshkruar marrëveshje së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, që kishte qëllim bashkëpunimin e vazhdimin e reformës në drejtësi.

Por sipas IKD-së kjo nuk ndodhi sepse kishte keqplanifikim nga Ministria e Drejtësisë.

““Qasja e MD-së për të iniciuar ndryshimet në ligjin e vjetër derisa ligji i ri është dërguar në Kuvend për miratim, tregon për keqplanifikim të saj të reformës në drejtësi dhe më e arsyeshme do të ishte që ndryshimet e nevojshme të përfshiheshin në ligjin e ri dhe të pritet që ai të miratohej, sesa për ligjin e njëjtë, paralelisht të zhvillohen dy procedura” – është shprehur Melos Kolshi.

Ehat Miftaraj, Drejtori i Institutit për Drejtësi në Kosovë, është shprehur se Ministria e Drejtësisë është në “luftë” me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, prandaj sipas tij ka edhe besim të ulët të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Miftaraj pati kritika edhe për KGJK-në e KPK-në.

“Po flasim për politikat kryesore që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Kosova me Bashkimin Evropian kanë një raport kontraktual përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që obligon institucionet e Republikës së Kosovës që politikat bazë që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi t’i kemi në koordinim, në bashkëpunim të bazuar në mirëbesim mes Ministrisë së Drejtësisë, institucioneve qeveritare, Kuvendit por me përfshirje të Këshillit Gjyqësor dhe prokurorial”- tha Miftaraj.

Haxhiu arrogante: S’keni informacione

Haxhiut i dështoi reforma. Gjykata Kushtetuese nuk po ia begenisë ligjet. Raportet ndërkombëtare nuk po ia begenisin punën. Raportet e organizatave vendore gjithashtu po ia identifikojnë problemet. Por, Haxhiu s’po dorëzohet, në dështimin e saj.

“S’keni informacione”, ishte kryefjala e Haxhiut si kundërpërgjigjje për këtë raport të IKD-së.

“Duket që nuk i kanë informacionet e duhura, por ne kemi pasur përpjekje maksimale që të angazhohemi, që të kemi bashkëpunim edhe me shoqërinë civile madje Ministria e Drejtësisë gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me organizatat e shoqërisë civile por po ashtu edhe me gjithë partnerët tjerë. Kanë dërguar komente, i kemi marrë parasysh disa, disa për shkak të qëndrimeve ndryshe të shumicës së anëtarëve nuk kanë ecur tutje, por megjithatë ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që sa më parë t’i dërgojmë këto ligje në Kuvend të Kosovës por para se t’i dërgojmë ato na duhen edhe disa konsultime me Këshillin Gjyqësor dhe pastaj do t’i publikojmë edhe për opinionin publik dhe për anëtarë tjerë të grupit punues dhe do të ecim tutje”, ka thënë ministrja Haxhiu për EO.

Ndërsa sa i përket dështimit në reformimin e Këshillit Prokurorial, ky ishte arsyetimi i Haxhiut, “Këshilli Prokurorial e ka kundërshtuar reformën në Këshillin Prokurorial, por ne nuk veprojmë në bazë të tekeve të individëve. Ne kemi dhënë zotime para qytetarëve dhe kemi qenë të obliguar t’i shtyjmë përpara” – është shprehur Haxhiu, duke hedhur hi syve, sepse s’ishte KPK-ja që e pengoi ta shkruaj ligjin siç duhet.

Ministria e saj, e shkroi ligjin e ri, por e shkruan gabim dhe aty s’kishte asnjë kompetencë KPK-ja ta pengoj, por ishte Gjykata Kushtetuese që e rrëzoi, për mospërputhshmëri me dokumentin kryesor të vendit.