Raporti i DASH-it: Ish-presidenti Thaçi propozoi iniciativa ligjore për ta minuar mandatin e Gjykatës Speciale

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paraqitur të martën raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2020.

Në këtë raport thuhet se në Kosovë një nga disa problemet më të rëndësishme është edhe mungesa e vazhdimësisë për ndjekje penale.

Në raport përmendet edhe emri i ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin thuhet se kishte bërë përpjekje që ta minojë mandatin e Gjykatës Speciale, shkruan Reporteri.

Sipas raportit, kërkesa për peticion për të shfuqizuar Gjykatën dhe një iniciativë legjislative e propozuar nga Thaçi, do ta minonte mandatin e Speciales.

Bashkë me Thaçin përmenden edhe udhëheqësit kryesorë të shoqërisë civile, veçanërisht organizatat e vetëranëve, të cilët sipas raportit të DASH-it, denoncuan publikisht Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializur në Hagë.

“Politikanë dhe udhëheqës kryesorë të shoqërisë civile, veçanërisht organizatat e veteranëve, denoncuan publikisht Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (SPO) me bazë në Hagë si dhe u përpoqën për të minuar mbështetjen e publikut për punën e SPO dhe KSC. Këto përpjekje përfshinin protesta publike, një kërkesë për peticion për të shfuqizuar gjykatën dhe një iniciativë legjislative të propozuar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi që mund të kishte minuar mandatin e KSC.”, thuhet në raport.

Blinken përmes këtij raporti, ka  thënë se riafirmon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta vënë çështjen e të drejtave të njeriut në qendër të politikës së jashtme të të vendit.

Ai tha se, duke dokumentuar çdo vit statusin e të drejtave të njeriut në botë, Departamenti i Shtetit siguron informacion objektiv dhe gjithëpërfshirës për Kongresin, shoqërinë civile, akademikët, aktivistët dhe të tjerët kudo që janë.

Kujtojmë që ish-presidenti Hashim Thaçi gjendet në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020, ku bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e bashkëluftëtarë po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime lufte.