Ranieri porosit tifozët e Fulhamit të mos presin suksesin e Leicesterit

Sipas Claudio Ranierit triumfi i Leicester Cityt në Premier League ishte një mrekulli që tifozët e Fulahmit duhet ta harrojnë se mund të përsëritet.

Ranieri u emërua trajner i Fulahmit këtë të mërkurë duke pasuar në këtë detyrë trajnerin serb, Slavisa Jokanovic, teksa kjo do të jetë eksperienca e tretë e italianit në Premier Leauge.

Sezoni 2015-2016 ishte padyshim suksesi më i madh i Ranierit në elitën e futbollit anglez derisa e menaxhoi Leicester Cityn drejt shpalljes kampion, arritje kjo që llogaritet ndër më të rëndësishmet në epokën moderne të futbollit.

Sidoqoftë Ranieri u shkarkua nga “The Foxes” në shkurt të vitit 2017 pas rezultateve të dobëta, ndërsa në rikthimin e tij në Angli 67 vjeçari i ka porositur tifozët e Fulhamit të mos mendojnë për gjëra të mëdha.

“Na duhet të punojmë shumë. Ai sukses me Leicesterin ishte një përrallë, duhet ta harrojmë atë. Mendoj se tani është e rëndësishme të mos mendojmë për mrekulli, por të fokusohemi te shumë beteja që duhet t’i përballojmë së bashku. Na duhet mbështetja e tifozëve sepse ndodhemi në një pozitë të vështirë. Unë jam një njeri me ambicie, kam lojtarë të mirë po i zgjedh ata që më shfaqin shpirtin luftarak”, tregoi Ranieri.

Claudio Ranieri do ta zhvillojë ndeshjen e parë në stolin e Fulhamit të shtunën e ardhshme në ndeshjen ndaj Southampton.