Pritet largimi

Ramsey nuk ka ide pse Arsenali u tërhoq nga diskutimet për rinovimin e kontratës

E ardhmja e Aaron Ramsey duket shumë e pasigurtë me mesfushorin uellsian që e pranon se nuk i di qëllimet e Arsenalit në raport me të.

Ramsey pretendon se klubi u tërhoq nga negociatat për rinovimin e kontratës pa e njoftuar arsyen. Mesfushori i Uellsit ka qenë i lidhur me një sërë klubesh në Premier League si Chelsea dhe Manchester United, por edhe jashtë Anglisë me Milanin e Romën të interesuara për shërbimet e tij.

“Për momentin nuk ka asnjë ofertë, kështu që nuk kam çka të shqyrtoj. Ne të gjithë e dijmë se kontrata u largua nga tavolina. Nuk e di arsyen, ndërsa ne ishim pajtuar para disa javësh për marrëveshjen dhe unë isha i gatshëm të firmosja. Diçka ndodhi, nuk jam i sigurt se çka. Tashmë duhet të koncentrohem vetëm për të ndihmuar skuadrën”, tregoi Ramsey.

27 vjeçari shpreson që t’i komunikohet arsyeja e tërheqjes nga diskutimet në lidhje me zgjatjen e kontratës, pavarësisht se kjo gjë nuk e shqetëson shumë, sepse sipas tij ka edhe shumë gjëra tjera që e bëjnë të lumtur.