Ajaxi e eliminoi Real Madridin nga Liga e Kampioneve, me rezultat të përgjithshëm 5-3, në rrethin e 1/8 të finales.

Por, kjo mund të mos ketë qenë pjesa më e vështirë për disa tifozë të “Los Blancos”.

Tifozët e Real Madridit u detyruan ta shohin kapitenin e skuadrës së tyre, Sergio Ramosin, duke e filmuar një dokumentar, në vend se të ishte duke e drejtuar skuadrën në fushën e lojës.

Ramosi ishte ndëshkuar qëllimisht me karton të verdhë në ndeshjen e parë, të cilën madrilenët e fituan me rezultat 2-1. Ai e bëri këtë gjë në mënyrë që të jetë 100 për qind i sigurt se do të luajë në çerekfinale.

Mirëpo, pasi e pranoi se e kishte bërë qëllimisht, edhe pse më vonë pretendoi se deklarata e tij ishte keqkuptuar, UEFA e dënoi atë për dy ndeshje. Kjo do të bënte që Ramosi të mungojë edhe në ndeshjen e parë çerekfinale.

Megjithatë, pasi që Real Madridi u eliminua nga Ajaxi, e gjithë skuadra e Real Madridi do të mungojë në çerekfinalet e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.

Sipas mediave spanjolle, kapiteni i Real Madridit ishte duke e filmuar një dokumentar me kompaninë Amazon, gjatë kohës kur Real Madridi po pësonte disfatë me rezultat 4-1 në shtëpi.

“Jam i emocionuar t’u tregoj tifozëve të futbollit se çfarë duhet për të qenë një atlet profesionist, se si është përgjegjësia e mbajtjtes së shiritit të kapitenit të Spanjës dhe Real Madridit dhe si e kombinoj këtë me jetën e përditshme”, kishte thënë Ramos kur ishte bërë e ditur se ai po bën dokumentar për jetën e tij.