Ramosaj takohet me përfaqësues të UÇK-së dhe të burgosurve politikë: Flasin për arrestimet nga Specialja

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shoqatën e të burgosurve politikë.

Në këtë takim është diskutuar rreth arrestimeve të fundit të krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Në komunikatë për media, komuna e Deçanit thuhet të ketë pritur me shqetësim këto zhvillime.

“Komuna e Deçanit, me shqetësim të madh po i përcjell zhvillimet e fundit në Kosovë, ku po arrestohen luftëtaret e lirisë, të cilët terë jetën e tyre ia kanë kushtuar lirisë duke sakrifikua gjithçka për çlirimin e Kosovës nga pushtimi shekullor i Serbisë. Përkujtojmë më të drejtë se qëllimi i të gjithë luftëtarëve të Lirisë, ishte dhe është edhe sot çlirimi dhe ndërtimi i paqes dhe perspektivës në këtë vend”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje ata konsiderojnë se arrestimet nga Gjykata Speciale janë cenim i të Drejtave të Lirive të Njeriut.

“Konsiderojmë se aktet e fundit të arrestimit nga gjykata speciale, janë cenim i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ,paqes si dhe ndërhyrje në rendin kushtetues të një shteti sovran për të cilin sakrifikuan shumë breza e sidomos luftëtaret e UÇK-së. Komuna e Deçanit dhe qytetarët e saj, janë në mbështetje të luftëtareve të Lirisë të arrestuar ditë më parë dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë familjeve të tyre më mundësit për përkrahjen e tyre dhe të familjeve të tyre deri në përfundimin e këtij procesi të pa drejtë”, thuhet në komunikatë.