Mbrojtësi i Liverpoolit, Dejan Lovren në një intervistë pati thënë se kur Sergio Ramos bën gabime ka futbollistë tjerë nga sulmi që bëjnë të harrohen gafat e spanjollit në mbrojtje, teksa kapiteni i Real Madridit nuk ka preferuar të futet në polemika me kroatin.

Ramos i ka cilësuar këto komente si tentim për të fituar vëmendje, ndërsa shtoi se vërshëllimat në “Santiago Bernabeu” e lumturojnë sepse sipas tij ato rezervohen vetëm për lojtarët më të mirë.

“E kam thënë shumë herë, nuk e di nësë këto gjëra thuhen nga frustrimi apo për arsye tjera. Nuk do t’i përgjigjem Lovrenit ose dikujt tjetër që synon të dali në faqet e para të gazetave. Gjithkush fiton për vete në fushë. Unë nuk them kurrë që vërshëllimat janë të padrejta, nëse publiku në “Bernabeu” iu konteston do të thotë se ata mendojnë që mund të japësh më shumë. Kam parë shumë legjenda që janë vërshëllyer gjatë 14 viteve këtu, duhet të jam falenderues nëse njëherë më ka ndodhur edhe mua”, nënvizoi Ramos.

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique kishte lavdëruar 32 vjeçarin dhe kjo e ka bërë krenar Ramosin në prag të sfidës së kësaj mbrëmjeje që “La Furia Roja” e zhvillon në udhëtim te Kroacia për Nations League.