Ramos largohet nga grumbullimi me Spanjën pas lëndimit

Sergio Ramos ka pësuar një lëndim në muskul në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Kroacisë ndërsa do të mungojë në takimin miqësor që Spanja e zhvillon kundër Bosnjës të dielën.

Kapiteni i Real Madridit dhe Spanjës ndjente shqetësime edhe në sfidën ndaj ballkanasve përballje në të cilën shënoi edhe një gol nga penalltia.

Kombëtarja e Spanjës nëpërmjet një postimi në Twitter lajmëroi lëndimin e Ramosit ndërsa mbetet të shihet nëse 31 vjeçari do të jetë i gatshëm për ndeshjen e “Los Blancos” ndaj Eibarit pas pauzës së kombëtareve.

Ndërsa trajneri i kampionëve të Europës, Santiago Solari ka shumë mungesa në këtë repart me Jesus Vallejon, Nachon, Varanen, Marcelon dhe Carvajalin të gjithë të lënduar.

Humbja e mbrëmshme e Spanjës përballë Kroacisë do t’i shtyjë iberikët të shpresojnë në një barazim në takimin e fundit Angli-Kroaci, në mënyrë që të përfundojnë të parët në grupin e tyre në Nations League.