Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, është i kënaqur që ka përgjegjësinë e goditjes së penalltive, pas largimit të Cristiano Ronaldos nga gjigantët e La Ligas për te Juventusi në korrik të vitit të kaluar.
Mbrojtësi madrilen tashmë ka shënuar 10 gola në këtë sezon, në të gjitha garat. Ai tha se ishte mirë të zëvendësonte Ronaldon, duke shtuar se nuk dëshironte të ofendonte askënd, kur zgjodhi “Panenka” nga vendi në penalltinë e fundit.
“Kam marrë rolin e ekzekutuesit të penalltive pas largimit të Cristianos. Jam i kënaqur ta bëj këtë rol, – tha Ramos për “Antena 3”. – Kjo “Panenka” është një mënyrë për t’i ekzekutuar ato, por kurrë nuk dëshiroj të ofendoj ndonjë koleg”.
Real Madridi është duke u përgatitur për disa ndeshje të mëdha, përfshirë gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës dhe përplasjen e La Ligas sërish ndaj Barcelonës, derbin me Atletico Madridin dhe sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Ajaxit.
Ramos tha se shkurti do të ishte një muaj i madh për të tijtë, të cilët janë të tretët në La Liga, tetë pikë pas Barcelonës: “Ne jemi në ndjekje të Barcelonës, e cila është lidere e La Ligas për momentin dhe rivalja jonë në Kupën e Mbretit. Po ashtu, kemi derbin me Atletico Madridin në La Liga”.







