Ramadani: Ky titull është më i veçanti, ua kushtoj Plisave

Zekirija Ramadani e ka përshkruar si të veçantë titullin e tij të parë si trajner i Prishtinës, pasi iu ndihmoi bardhekaltërve t’i japin fund një pritjeje prej tetë vjetëve për titull në Superligë në ditën e parafundit të sezonit.

Ramadani u emërua trajner i Prishtinës në shtator dhe ia doli t’ia fitojë asaj titullin në sezonin debutues në Superligë, raporton Gazeta Express.

Prishtina e fitoi titullin në ditën e parafundit të sezonit 2020/21 në elitën e futbollit kosovar, duke e mundur 2:1 Gjilanin në udhëtim.

Gledi Mici dhe Qëndrim Zyba shënuan për fitoren që ia siguroi titullin skuadrës së Ramadanit në Stadiumin e Qytetit në Gjilan të dielën.Reklamë

Ramadani e kishte fituar titullin me Trepçën ’89 dhe Feronikelin në të kaluarën, por ai e pranoi se titullin me Prishtinën e shijoi më shumë, për shkak të pritjes së madhe.

“Çdo titull ka shijen e vet por mungesa prej tetë vjetëve, e bënë këtë titull edhe më të veçantë. Ky titull i ka munguar shumë vite ekipit tonë dhe më së shumti i kemi gëzuar qytetarët e Prishtinës dhe Plisat”, tha Ramadani pas ndeshjes.

Ai shtoi: “Në emrin tim dhe bashkëpunëtoreve të mi ua dedikojmë plisave këtë titull, asnjë nuk do të jetë i veçantë sikur ky. Për të ardhur deri te kjo ndeshje kemi kaluar nëpër shumë sfida. Mbështetja nga drejtuesit e klubit pas humbjes kundër Drenicës ishte çelësi.”

Hera e fundit kur klubi nga kryeqyteti e fitoi titullin në Superligë, ishte sezoni 2012/13.

Prishtina i mblodhi 78 pikë nga 35 ndeshje këtë sezon, pesë më shumë se Drita që e mposhti Drenicën, dhe shtatë më shumë se Ballkani, të cilin e pret në Fadil Vokrri në ditën e fundit të sezonit javën e ardhshme.