Rama nuk lë ‘të qetë’ Bashën: Gabim i madh që nuk ulet në tryezë

Kryeministri Edi Rama dukshëm nuk do ta ‘lërë të qetë’ lideri i opozitës, teksa sërish sot përmes rrjetit social, i ka kërkuar Bashës që të vijë në një tryezë të përbashkët për menaxhimin e situatës në vend pas tërmetit.

Rama e ka cilësuar ‘gabim të madh’ mosardhjen e PD-së në një tryezë, teksa shton se në disa prej pikave të përcjella nga PD mbi menaxhimin e krizës, qeveria dhe opozita janë në një linjë.

 “Lulzim Basha një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit & Ministrja e Financave. Por vazhdoj të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, shkruan Rama.

Një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha takoi disa sipërmarrës, të cilët i treguan se po vuajnë mungesën e forcës punëtore që ende nuk është kthyer në qytet. Basha, propozoi në emër të opozitës së bashkuar edhe 5 masa lehtësuese për biznesin.

Me pikën e parë, PD kërkon “përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura”, ndërkohë që me pikën 2 kërkohet përjashtimi nga tatim fitimi “për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit”.

Pika 3 ka të bëj me “pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore deri në rikuperimin e dëmeve”, ndërkohë pika 4 kërkon “përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve”.

Së fundmi, opozita kërkon edhe “pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.