Kryesocialisti Edi Ramaka ndezur motorët e fushatës. Sot ka thirrur pasditen e kësaj të mërkure në selinë rozë drejtuesit e qarqeve, për të ndarë punët për zgjedhjet e 2025.
Në një prononcim për mediet nga selia e PS, pas mbledhjes online të Asamblesë së PS, Rama u shpreh se, “jemi me anëtarësimet, besoj shumë më mirë se çfarë disa nga kolegët mendonin dhe shpreheshin. tani jemi në fazën e dytë, siç e vendosëm në Asamblenë Kombëtare, që është faza e angazhimit për anëtarësimet e reja dhe për adresimin e balancës gjinore në disa zona, në disa organizata në çdo qark që kanë probleme të balancës gjinore”.
“Nuk mund të them qarqe problematike, por ka pika të caktuara që janë kryesisht në zonat rurale ku duhet bërë pak më shumë punë për të garantuar një pjesëmarrje më të balancuar mes burrave dhe grave, djemve dhe vajzave”, tha Rama.
Rama deklaroi se ndryshimet janë pjesë e jetës së Partisë Socialiste, prandaj PS është parti fituese.
I pyetur nëse do të shërbejnë raportimet e drejtuesve të qarqeve në ndryshime të tyre në bazë të performancës, Rama u shpreh se, “ndryshimet janë pjesë e jetës së PS-së, prandaj PS është parti fituese sepse nuk pret që ta ndryshojnë të tjerët, por ndryshon vetveten, por ky nuk është qëllim në vetvete sepse unë shoh një angazhim pozitiv”.
“Edhe nga raportimet e sotme është e qartë që angazhimi është pozitiv. Plus që sistemi ynë, i cili ka një komponent gjithmonë e më të zhvilluar digjital është një sistem që ka pasqyra të cilat flasin vetë si të thuash dhe nuk është thjeshtë se çfarë raporton njëri apo tjetri me fjalë, por janë pasqyra të verifikueshme të anëtarësisë, të takimeve, të boshllëqeve e kështu me radhë”, u shpreh Rama.
Për anëtarësimet e reja u shpreh se do të angazhohet vetë personalisht.
“Normalisht ndarja e punës së të gjithë anëtarëve të Asamblesë ka një mesatare prej 10 organizatash, kështu që dhe unë do të kem organizatat e mia, por duke qenë një proces kombëtar ky do t’i kem takimet e organizatave të ndara sipas qarqeve. Kështu që po do të jem në të gjitha qarqet dhe do të marrë pjesë në mbledhjet e të gjitha qarqeve”.







