Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pas deklaratave të këtij të fundit rreth zhvillimeve politike në kryeqytet.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Rama theksoi se Prishtina ka kryetarin e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kryetarin e saj, dhe së shpejti – sipas tij – Kosova do të ketë edhe kryeministrin Lumir Abdixhiku.
“Sa herë përpiqeni të krijoni përçarje mes nesh, thjesht e bëni më të qartë dallimin në kulturën politike. Ne ju shohim, ju lexojmë, por nuk biem në nivelin tuaj. Thjesht vazhdojmë punën dhe fitojmë. Siç e fituam Kryeqytetin dy herë. Ne e kemi besimin e qytetarëve,” ka shkruar Rama.
Ai shtoi se, në anën tjetër, Murati dhe partia e tij mbajnë mbi supe çështje ligjore që pritet të trajtohen nga organet kompetente.
“Ajo që keni ju është një kallëzim penal dhe një lëndë në Kushtetuese për një bllokim të pajustifikueshëm të Kryeqytetit, për të cilin do të jepni përgjegjësi, sot apo nesër,” përfundoi Rama.
Replikat mes Ramës dhe Muratit vijnë në një periudhë të tensionuar politike, ku zhvillimet në Prishtinë po shndërrohen në pikë qendrore të debatit ndërmjet LDK-së dhe VV-së.







