Rakitic i irrituar me VAR-in pas finales së humbur në Kupën e Botës ndaj Francës

Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic beson se Kroacia ishte skuadër më e mirë ndaj Francës në finalen e Kupës së Botës por sipas tij vendimet e gjyqtarit me ndihmën e teknologjisë VAR i ndihmuan “gjelave”.

Kombëtarja ballkanase u mposht 4-2, teksa u akordua penallti në të mirë të Francës pas konsultimit të gjyqtarit me ndihmësit te VAR-i, penalltia u shndërrua në gol nga Griezmann ndërsa rezultati në ato momente u bë 2-1 për francezët, të cilët realizuan edhe dy herë në pjesën e dytë.

FIFA e cilësoi si të sukesesshëm aplikimin e VAR-it në Kampionatin Botëror që u mbajt në Rusi verën e kaluar, por Rakitic mendon se Franca u ndihmua në një ndeshje që u kontrollua nga Kroacia.

“Mos më flisni mua për VAR-in, e kam ëndërruar finalen e Kupës së Botës për qindra netë. Ajo ishte ndoshta ndeshja më e mirë e jona, për 1 orë ishim superior ndaj Francës. Ata nuk dinin si të na ndalnin. Goli i parë i tyre erdhi nga një goditje e lirë që nuk ishte e tillë dhe VAR-i mund të ndërhynte sepse Pogba ishte në pozitë jashtë loje. Pastaj VAR-i e pa momentin e penalltisë kundër nesh por nëse nuk do të akordohej nuk do të ankohej askush”, u shpreh Rakitic.

30 vjeçari shtoi se gjithçka që e përmirëson futbollin është e mirëseardhur por sipas tij me tekonologjinë VAR futbolli ngadalësohet, teksa tha që nuk e di nëse do të jetë pjesë e Kampionatit Botëror të ardhshëm që organizohet në Katar në vitin 2022.