Rakiq nga protesta i dërgon mesazh shefit të tij në Qeveri, Albin Kurtit: Nuk na ke frikësuar

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka mbajtur fjalim para protestuesve që janë grumbulluar në Mitrovicë të Veriut për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Rakiq i cili është edhe ministër në Qeveri ka thënë se nuk do të dalë në punë deri në kthimin në detyrë të gjyqtares së suspenduar serbe.

Madje, ai ka thënë se me këtë protestë po i dërgojnë mesazh kryeministrit Kurti se nuk janë të frikësuar dhe se do të luftojnë për të drejtat e serbëve në Kosovë.

“Nuk na kanë frikësuar, do të rrimë këtu të bashkuar dhe do të luftojmë për të drejtat tona. I dërgoj mesazh Prishtinës dhe Kurtit e Policisë së Kosovës se nuk na kanë frikësuar. Do të rrimë këtu të bashkuar. Atë që e kanë shqiptarët duam edhe ne, nuk duam asgjë më shumë, t’i marrim apo t’i rrëmbejmë dikujt. Duam atë që na takon, paqen më së pari. Pas takimit me Vuçiqin për herë të parë mbase nuk arritur marrëveshje të përbashkët. Edhe pse i besojmë vetëm atij, nga ajo mbledhje kemi dalë pa marrëveshje.

Ne nuk jemi t’i që shkelim marrëveshjen e Brukselit, Kurti po e bën. Do të rrimë me popullin tonë dhe do ta mbështesim. Kryetar Vuçiq ju lusim ndikoni në BE dhe bashkësinë ndërkombëtare, nuk jemi të frikësuar, jemi në vendin tonë dhe do të rrimë këtu”, tha Rakiq para protestuesve.