Raiola u bë shkaktar për dështimin e kalimit të Haaland te Unitedi

Zbulohet prapaskena në tentativën e dështuar të Manchester United për të blerë talentin e madh norvegjez, Erling Haaland, i cili zgjodhi në fund Borussia Dortmundin. Drejtuesit e “Djajve të Kuq” u përpoqën të anashkalonin në bisedime menaxherin e 19-vjeçarit, italianin Mino Raiola, por dështuan keq.

Tek United pretendojnë se u tërhoqën nga marrëveshja, pasi refuzuan të përmbushnin kërkesat e Raiolas. Në fakt, “DailyMail” shkruan se pati përpjekje për të bërë marrëveshje me babain e futbollistit, ish mesfushorin e Leeds United, Alf Inge Haaland, i cili gjithashtu përfaqëson djalin e tij.

Por përpjekja e United dështoi dhe ndërkombëtari i Norvegjisë nënshkroi për Dortmundin, pasi klubi gjerman plotësoi klauzolën e blerjes prej 18 milionë paundësh në kontratën e tij.

Dortmundi gjithashtu ka rënë dakord të kalojë në llogarinë e Raiolas dhe Haaland Senior një pjesë të konsiderueshme të vlerës së shitjes në të ardhmen, që do të thotë se menaxherët do të kontrollojë transferimin e radhës të Haaland, diçka që United nuk ishte i gatshëm të sanksiononte.

Raiola ka luajtur një rol qendror në disa nga transferimet më të shtrenjta të klubit në vitet e fundit. Ai ndihmoi në transferimin e Paul Pogba në “Old Trafford” nga Juventusi për një tarifë rekorde në atë kohë 89 milionë paundë

Raiola negocioi gjithashtu  lëvizjet e Zlatan Ibrahimovicit dhe Henrikh Mkhitaryanit në Manchester si dhe ndërmjetësoi kalimin për 75 milionë paundë të Romelu Lukakut nga Evertoni në verën e vitit 2017.

Mirëpo 52-vjeçari ka zemëruar drejtuesit e United gjatë muajve të fundit, veçanërisht në lidhje me të ardhmen e Pogbas.

“Problemi i Pogbas është Manchester United,” – tha Raiola në fillim të kësaj jave. –  “Është një klub pa kontakte me realitetin, pa një projekt sportiv. Nuk do të çoja më asnjë futbollist atje. Ata madje do të shkatërronin Maradonan, Pelen dhe Maldinin.”