Raiola thotë se askush nuk e ka kontaktuar për Pogban

Agjenti i Paul Pogbas, Mino Raiola, ka thënë se nuk ka asgjë të re në spekulimet për largimin e mesfushorit francez nga Manchester Unitedi, duke shtuar se askush nuk i ka shkruar atij deri më tani.

Vetë Paul Pogba e kishte bërë të ditur dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester Unitedi gjatë këtij afati kalimtar të verës, gjatë kohës sa ishte me pushime në Kinë.

“Mendoj se, për mua, kjo mund të jetë koha e duhur për ta pasur një sfidë të re diku tjetër”, kishte thënë ylli francez.

Pastaj, në fillim të këtij muaji, agjenti i Pogbas, Mino Raiola, tha se ai është në proces për t’ia gjetur një klub të ri klientit të tij, pas lajmeve se Real Madridi dhe Juventusi janë të interesuar për 26-vjeçarin.

Megjithatë, përkundër që mediat botërore raportojnë se Real Madridi dhe Juventusi janë të interesuar për 26-vjeçarin, trajneri i “Djajve të Kuq”, Ole Gunnar Solskjaer”, ka insistuar se Manchester Unitedi nuk ka marrë asnjë ofertë për Pogban.

Raiola u pyet për të ardhmet e disa prej klientëve të tij – Pogbas, Moise Kean dhe Mario Balotellit – gjatë kohës sa klienti i tij i tjetër, Matthijs de Ligti, po i kryente testet mjekësore në Juventus.

“Nuk ka asgjë, askush nuk më ka shkruar. Unë e jetoj jetën time ditë pas dite. E njëjta vlen edhe për Balotellin. Unë jam këtu sot, nuk e di se ku do të jem nesër”, është shprehur 51-vjeçari.

Raiola e komentoi edhe transferimin e De Ligtit në Juventus, duke thënë se gjiganti italian është klubi më i mirë për holandezin, i cili ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me “Zonjën e Vjetër”.

“Nuk është në pyetje se kush e deshi më së shumti, por Juventusi është klubi më i mirë për të. Është e rëndësishme për një mbrojtës të vijë në Itali. Ai mund të mësohet të jetë më i miri në botë këtu”, shtoi Raiola.