Raiola paralajmëron largimin e Haalandit nga Dortmundi në verë

Sulmuesi Erling Haaland do të largohet nga skuadra e Borussia Dortmundit në fund të këtij edicioni.

Kështu, ka paralajmëruar agjenti i futbollistit norvegjez, Mino Raiola. Madje, ai ka thënë se Haaland ka shumë destinacione për të ardhmen e tij, por që ende nuk ka vendosur se ku dëshiron ta vazhdojë karrierën.

“Haalandi do ta bëjë hapin e radhës. Ai mund të shkojë në të gjitha klubet e mëdha si Bayerni, Reali, Barça, City. Gjasat janë të mëdha që ai këtë lëvizje të madhe të karrierës ta bëjë në verë, por të shohim”, është shprehur Raiola.

Haaland 21-vjeçar ka kontratë me Dortmundin deri në vitin 2024 dhe kartoni i tij vlerësohet rreth 100 milionë euro. Ai këtë sezon ka shënuar 17 gola në 13 ndeshje për Dortmundin, ekip të cilit iu bashkua në janar të vitit 2020 nga Salzburgu.