Raiola: Donnarumma s’duhet ta kishte rinovuar kontratën me Milanin

Agjenti i Gianluigi Donnarummas, Mino Raiola, beson se portieri i Milanit nuk duhej ta kishte rinovuar kontratën e tij me kuqezinjtë në vitin 2017 sepse s’ishte momenti i duhur, por thotë se italiani veproi me zemër e jo me mendje.

Mino Raiola ishte i pranishëm në stadiumin San Siro për ndeshjen mes Milanit dhe Juventusit, që përfundoi me barazim 1:1, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ku Cristiano Ronaldo ia dha barazimit Juventusit afër fundit të ndeshjes përmes një penalltie, pasi kuqezinjtë kishin kaluar në epërsi falë golit të Ante Rebicit.

Pasi Donnarumma kishte qenë afër të largohet në vitin 2017, vëmendja tani është kthyer sërish te e ardhmja e tij, pasi që kontrata e italianit skadon në vitin 2021. Gazeta Corriere dello Sport shkruan se Milani s’do ta ketë të lehtë ta mbajë portierin në skuadër.

Donnarumma për momentin paguhet gjashtë milionë euro në vit, duke qenë lojtari më i paguar në skuadër pas Zlatan Ibrahimovicit. Një numër i mediave italiane kanë bërë të ditur se pronarët e Milanit s’janë të gatshëm t’i ofrojnë atij pagë më të madhe sesa kaq.

Klubet e interesuara për transferimin e italianit nuk janë të pakta dhe në mesin e tyre është edhe Real Madridi. Mirëpo, Raiola ka thënë se Donnarumma është i lumtur në Milan, përkundër që vlerëson se ai bëri gabim që e rinovoi kontratën në vitin 2017.

“Ai nuk duhej ta kishte rinovuar kontratën në atë moment, nuk ishte momenti i duhur”, ka thënë Raiola, në një intervistë të dhënë për Sport Mediaset.

“Ishte zgjedhje nga zemra. Kur e detyron zemrën të zgjedhë në atë mënyrë, atëherë mund edhe ta bësh zgjedhjen e duhur. Ai është i lumtur dhe ka zgjedhur ta bëjë atë që e do”.