Rahoveci mposht Goga Basketin për të përfunduar i treti në Ligën Unike

KB Rahoveci ka zënë vendin e tretë në Ligën Unike që nisi javën e shkuar në formë turneu në Kosovë.

Rahoveci të mërkurën, në ndeshjen për vendin e tretë, të zhvilluar në Durrës, triumfoi ndaj Goga Basketit me rezultatin 81:74.

Për Rahovecin, kjo ishte fitorja e parë në turneun “Final 8” të Ligës Unike në dy ndeshje të luajtura.

Rahoveci u kualifikua në gjysmëfinale pa lojë përpara se të mposhtet nga Peja që u kualifikua në finale.

Ndërkohë, Goga Basketi përjetoi humbjen e dytë rresht pasi të martën pësoi humbje edhe nga Golden Eagle Ylli në gjysmëfinale. Amerikani Marvin Jones ishte më efikasi te Rahoveci me 25 pikë të shënuara, i përcjellë nga Ed Daniel (16 pikë, 11 kërcime) dhe Altin Morina (13 pikë, 11 kërcime).

Te Goga Basket, u veçuan Milic Blagojeviq e Endriq Hysenagolli.

Blagojeviq pati 22 pikë e dhjetë kërcime derisa Hysenagolli shtoi 20 pikë e 13 kërcime që nuk mjaftuan për t’i ikur humbjes nga Rahoveci.

Ndërkohë, ndeshja finale e Ligës Unike do të zhvillohet prej orës 19:00, gjithashtu në Durrës, ku takohen Peja dhe Golden Eagle Ylli.