Sipas agjentit dhe babait të Rafinhas, braziliani mund të largohet nga Barcelona për shkak të zgjedhjeve të çmendura të trajnerit Ernesto Valverde.
Rafinha e kaloi gjysmën e sezonit të kaluar në huazim te Interi derisa ishte rikthyer nga një lëndim i rëndë në gju. 25 vjeçari pati paraqitje pozitive te “Nerazzurët” por klubi italian nuk arriti ta mbajë në skuadër për shkak të Fair Playt Financiar.
Rafinha pati një para sezon shumë të mirë te “Blaugranat” por megjithatë në fillim të kampionatit nuk u preferua nga Valverde teksa ka luajtur në vetëm 4 ndeshje nga 12 tjera në La Liga, ndërsa kjo e ka irrituar Mazinhon, babain e futbollistit.
“Është një gjë e çmendur. Rafinha nuk e ka idenë pse nuk luan. Vetëm trajneri e di arsyen pse ai nuk luan, dhe e vërteta është se duhet të gjejmë një situatë ku Rafinha aktivizohet rregullisht. Te Barcelona ai luan 3 ndeshje rresht dhe pastaj mbetet jashtë skuadrës. Duhet të shohim mundësinë e largimit sepse situata është shumë e komplikuar këtu”, deklaroi Mazinho.
Babai i Rafinhas zbuloi se në janar Rafinha mund të largohet nga Barcelona ndërsa tha se ka shumë skuadra të interesuara për shërbimet e tij.







