Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka njoftuar se qytetarët e Gjilanit të cilët ndodhen në zonat e karantinuara, do të kenë kohë të kthehen në Gjilan, vetëm edhe sot deri në orën 17:00, shkruan Gazeta Sinjali.

Ismajli tha se ata që do të kthehen nga Prishtina, Ferizaj, Vitia e Topnica, do t’u nënshtrohen kontrollimit dhe legjitimimit për hyrje në Koumunën e Gjilanit.

Sipas tij, kjo po bëhet si masë shtesë për ruajtjen e tyre nga rritja potenciale e kësaj pandemie.

“Fatmirësisht, Komuna e Gjilanit, deri më tani nuk ka shënuar ndonjë rast shtesë me koronavirus, por, kjo nuk do të thotë që të mos vazhdoni ndjekjen e instruksioneve të dala nga organet kompetente. Po ashtu, po bëhet verifikimi i qytetarëve që po hynë në Komunën e Gjilanit nga vendet e karantinuara, të cekura më lartë. Qytetarët e Gjilanit, mund të kthehen vetëm edhe sot deri në ora 17:00, nga vendet e karantinuara”, ka shkruar Ismajli në Facebook.

Po ashtu, nënkryetar i Gjilanit ka apeluar te bashkëqytetarët e tij që të vazhdojnë masat e vetizolimit, duke ndjekur rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve lokale.

“Mbyllni dyert e shtëpisë, mos pranoni mysafirë dhe anasjelltas, mos shkoni diku! Kjo do të mbetet e vetmja forcë për parandalimin e rritjes së rasteve të reja. Ne po bëjmë të pamundurën për të punuar në drejtimin e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve. Mirëpo, kjo natyrë e përkushtimit nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e ndërsjellë. Andaj, ju lutemi shumë për kujdes të shtuar, e me qëndrim brenda! “, ka shkruar ai.