Zëvendës Ministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, konsideron se është Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ai i cili “duhet ta legalizojë” draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, duke e dërguar – siç ka kërkuar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – në Komision të Venecias.

“Ai (draft-Statuti) ka një përmbajtje, por nuk ka një formë në mënyrë që të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Institucionet e Bashkimit Evropian, në këtë rast zotëri Lajçak apo Borrell dhe mekanizmat përcjellës të tyre ta dërgojnë në Komisionin e Venecias. Institucionet e BE-së, mund të dërgojnë dhe t’i kërkojnë një opinion këshillëdhënës, i cili nuk është obligativ. Venecia pastaj dhe Gjykata Kushtetuese të bëhen dy vendime figurativisht. Zotëri Lajçak duhet të legjitimojë arsyen e vet dhe ta legalizojë përndryshe s’ka kuptim”, ka thënë ai për KosovaPress.

Kujtojmë se vetë Albin Kurti premtonte se me të ardhë në pushtet do të dërgonte krejt Marrëveshjen e Parimeve për Normalizim të Marrëdhënieve (2013), e ku përfshihet Asociacioni si pjesë kyçe e saj, për rishikim në Komision të Venecias.

Kohëve të fundit e ka kthyer si ide, por që i është refuzuar nga Bashkimi Evropian, të cilët thonë se është qeveria kosovare ajo që për çështje të saj i referohet ose jo Komisionit të Venecias për opinion.

Poashtu, Kurti ka provuar edhe një mënyrë tjetër për ta hequr qafesh përgjegjësinë për draft-Statutin duke synuar ta dërgojë draftin për rishikim te eskpertë ligjor të Këshillit të Evropës, gjë që iu refuzua nga Emanuel Macron, Olaf Scholz, Giorga Meloni, respektivisht tre shtetet më të fuqishme të BE-së: Franca, Gjermania dhe Italia.