Qipro nuk i lejon simbolet e Kosovës, Federata e Karatesë e Kosovës del me njoftim

Federata e Karatesë e Kosovës e përbërë nga 45 anëtarë tash e dy ditë gjendet në Larnaka të Qipros ku po mbahet “Kampionati Evropian për kadetë, juniorë dhe U21”.

Por, ky shtet nuk e ka lejuar ekipin e Kosovës të garojë me flamurin dhe simbolet e saj shtetërore në këtë garë.

Në vend të flamurit, ata kanë vendosur mbishkrimin: “Federata e Karatesë e Kosovës”.

Pas këtij veprimi, Federata e Karatesë e Kosovës ka dalë me një njoftim.

“Përgjatë kësaj periudhe kontakti i vazhdueshëm mes MKRS dhe FKK ka qenë intensiv dhe me qëndrim të përbashkët që të respektohet pjesëmarrja e barabartë në evente sportive”, thuhet në njoftimin e Federatës së Karatesë së Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Federata e Karatesë e Kosovës e përbërë nga 45 anëtarë tash e dy ditë gjendet në Larnaka të Qipros ku po mbahet “Kampionati Evropian për kadetë, juniorë dhe U21”.

Sot pas shumë përpjekjesh NUK u lejuam të marrim pjesë si të barabartë me 48 shtetet evropiane pjesëmarrëse në këtë kampionat zyrtar të EKF (Federata Evropiane e Karatesë) meqenëse na u mohua e drejta për përfaqësim me simbolet shtetërore nga institucionet shtetërore të Qipros.

Dëshpërimi nga nënçmimi ndjehet fuqishëm tek të gjithë anëtarët e ekipit kombëtar dhe më gjerë.

Përgjatë kësaj periudhe kontakti i vazhdueshëm mes MKRS dhe FKK ka qenë intensiv dhe me qëndrim të përbashkët që të respektohet pjesëmarrja e barabartë në evente sportive.