COVID-19

Qindra njerëz kanë vdekur nga lajmet e rreme për koronavirusin: Besonin se urina e lopëve i shëron

Në tre muajt e parë të këtij viti, të paktën 800 njerëz në të gjithë botën vdiqën për shkak të dezinformimeve për coronavirusin, njoftuan shkencëtarët.

Sipas rezultateve të një studimi të botuar në Gazetën Amerikane të Mjekësisë Tropikale dhe Higjienës, rreth 5.800 persona u shtruan në spital për shkak të besimit në informacionet e rreme në rrjetet sociale, raporton BBC.

Shumë vdiqën pasi pinë pastrues me bazë metanol ose alkool, duke besuar gabimisht se këto produkte i mbronin ose shëronin coronavirusin

Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar se epidemia e lajmeve të rreme ose “infodemia” e lidhur me COVID-19, po përhapet aq shpejt sa vetë virusi, dhe teoritë e komplotit, thashethemet dhe stigmatizimi në shoqërinë e të sëmurëve kanë kontribuar në vdekje dhe lëndime.

Shumë viktima ndiqnin këshilla që ngjasonin të besueshme – të tilla si konsumimi i sasive të mëdha të hudhrës dhe gëlltitja e sasive të mëdha të vitaminave si një mënyrë për të parandaluar infeksionin, thanë autorët e studimit. Të tjerët konsumonin pije si urina e lopës.

Një sjellje e tillë mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e këtyre njerëzve, kanë paralajmëruar shkencëtarët.

Shkencëtarët konkludojnë se i takon organeve ndërkombëtare, qeverive dhe rrjeteve sociale të luftojnë epideminë e informacioneve të rreme.

Ndryshe, kompanitë e teknologjisë që administrojnë rrjetet sociale janë kritikuar që reagojnë ngadalë dhe pamjaftueshëm ndaj problemit, dhe legjislaturat janë gjithashtu të ngadalta për të rregulluar përgjegjësinë për përhapjen e lajmeve të rreme.