Qeveria Kurti probleme të mëdha me gjumin| Bislimin s’e merr fare nga hallet, Rizvanolli flenë edhe në Kuvend

Problemet e qeveritarëve të Kosovës me gjumin po dalin në pah çdo ditë e më shumë.

Ndonëse është verë dhe nxehtësia bën që njerëzit të kenë më shumë telashe me gjumin, kjo po reflektohet më shumë te anëtarët e kabinetit të Albin Kurtit.

Problemet me pagjumësinë janë tashmë të njohura për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, por deri më sot qytetarët nuk e kishin ditur se probleme ka edhe ministrja Artane Rizvanolli, e cila u pa sot duke bërë një sy gjumë në seancën e Kuvendit të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Për problemet me gjumë të zëvendësit të tij ditë më parë ka folur edhe kryeministri Kurti.

Duke folur për udhërrëfyesin me Serbinë për zbatimin e marrëveshjes për faturimin e rrymës në veri të vendit, Kurti tha se Bislimi bie në gjumë dhe zgjohet në mëngjes me preokupimin e regjistrit të konsumatorëve. Më tej kujtoi deklaratën e Bislimit, duke ia shtuar një “nëse fle” kësaj që po thoshte në konferencën për media.

“Ju e dini që Zyra e Rregullatorit për Energji i ka pasë dy javë që ta bëjë licencimin. E ka bërë për dy ditë, mirëpo nga ana tjetër, nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër 1 me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im – nëse fle – Besnik Bislimi, sepse sot nuk ka gjë më të rëndësishme për të, do të thosha edhe për shtetin tonë sesa të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar, dhe në këtë mënyrë, stabilitetin energjetik në Kosovë”, tha Kurti.

Edhe në dhjetor të vitit 2020, dy muaj para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 kur LVV-ja fitoi 50.28% të votave, Bislimi deklaronte se kishte probleme me gjumin.

“Mbështetja që kemi tash është paska e frikshme, është aq e madhe njerëzit kanë pritje të madhe. Ka një javë që kam probleme me gjumë se nuk e di si do t’i përgjigjemi kësaj pritshmërie. Është hera e parë që Besnik Bislmi thotë ne do të kemi kaq deputetë. Mbi 55 po”, shprehej Bislimi.

Për këtë deklaratë, Bislimin e tallën i madh e i vogël në Kosovë.

Demokracia.com duke u bazuar në këshillat e terapistëve të gjumit ua sjell disa hapa që ju sjellin gjumin brenda pak minutash:

1. Merrni frymë me anën e majtë të hundës

Kjo është një metodë joge e cila përdoret për të ulur tensionin e gjakut dhe për t’ju relaksuar. Terapisti i gjumit Peter Smith sugjeron: “Shtrihuni në anën e majtë të trupit dhe vendosni një gisht në anën e djathtë të hundës, për ta mbyllur atë. Filloni të merrni frymë ngadalë me anën e majtë të hundës. Kjo teknikë është veçanërisht efikase në periudhen kur problemet e menopauzës ju pengojnë të flini.

2. Shtrëngoni dhe relaksohuni

Relaksimi i muskujve e përgatit trupin për gjumë. Eksperti i ankthit Charles Linden thotë: “Shtrihuni me shpinë, merrni frymë ngadalë dhe thellë me anë të hundës, dhe në të njëjtën kohë shtrëngojini fort gishtat e këmbës, më pas lërini të lirë. Bëjeni këtë veprim disa herë dhe do të shihni rezultatet.

3. Përpiquni të qëndroni zgjuar

Funksionon pasi mendja do të kërkojë të bëjë të kundërtën thotë psikoterapistja Julie Hirst.

“Mbajini sytë hapur dhe përsëritni me vete ‘nuk do të fle’. Truri nuk i përpunon mirë format mohore dhe si pasojë këtë ‘komandë’ e interpreton si një udhëzim për të fjetur. Si pasojë edhe muskujt e syrit do të lodhen shpejtë dhe pa e kuptuar do të jeni në gjumë” shkruan Shendeti.

4. Kujtoni se çfarë keni bërë gjatë ditës

Kujtoni çdo detaj të gjërave që keni bërë duke filluar nga gjërat që keni bërë para se të flini deri te ato që keni bërë në mëngjes. Kjo të ndihmon që ta çoni gjendjen e trurit gati për gjumë.

5. Rrotulloni sytë

Mbyllini sytë dhe rrotullojini. Terapistët thonë se kjo mënyrë është shumë efektive për të fjetur pasi ndihmon në çlirimin e melatoninës, hormonit të gjumit.

6. Vini në punë imagjinatën

Meditimi nëpërmjet vizualizimit funksionon më mirë nëse vini në punë të paktën tre shqisa. Ekspertët këshillojnë: “Imagjinojeni veten në një situatë ku ju ndieni diçka, duke lundruar apo duke ecur këmbëzbathur në bar. Imagjinoni sikur po nuhasni lulet, sikur dëgjoni valët e detit apo cicërimat e zogjve. Do të ndiheni të relaksuar dhe do të jeni në gjumë pa e kuptuar as vetë.