Qeveria Kurti po i identifikon grevistët për t’ua pezulluar kontratat dhe ndalur pagat, ky është komunikimi mes tyre

Ministritë e Qeverisë Kurti përmes sekretarëve tanimë ka filluar me identifikimin e shërbyesve civilë grevistë për t’ua pezulluar kontratat dhe ndalur pagat deri në përfundimin e grevës që kanë nisur. Kërcënimin e bërë publik gjatë ditës ndaj punonjësve të sektorit publik që po e përkrahin grevën e Bashkimit të Sindikatave të Sektorit Publik të Kosovës (BSPK), tashmë janë duke e jetësuar.

Demokracia.com ka siguruar komunikimin mes përfaqësuesve të grevistëve dhe Qeverisë Kurti, përkatësisht korrespodencën përmes e-maileve të grevistëve me Ministrinë e Financave dhe Transfereve.

Në njërën prej e-maileve që sekretari në detyrë i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, ka komunikuar me Ali Sefajn, anëtar i Këshillit Grevist dhe përfaqësues i Shoqatave Sindikale në nivel qendror, këtij të fundit Spahiu ia konfirmon se do ua pezullojnë kontratat dhe do ua ndalin pagat deri sa janë pjesë e grevës.

Ndërsa, Sefaj përmes një përgjigje tjetër që ka siguruar Demokracia.com, ia ka sqaruar në detaje Spahiut çështjen e Ligjit për Greva dhe ia ka bërë të ditur se tashmë BSPK-ja ka shpallur grevë të përgjithshme dhe se kërcënimi i tyre me ndalesë të pagës ka shkaktuar pakënaqësi.

“Emaili i juaj ka shkaktuar pakënaqësi tek shërbimi civil dhe ka vënë në pozitë të keqe Qeverinë e Kosovës, duke u akuzuar nga mediat dhe shoqëria civile për shkak të këtij llapsuzi edhe si qeveri jodemokratike”, thuhet ndër të tjera në korrespodencën e dytë, duke ia bërë të qartë që pengimi dhe presioni dënohet sipas ligjeve në fuqi, raporton Demokracia.com.

Në komunikimin tjetër, Spahiu i është përgjigjur Sefajt se “janë të detyruar që të ndërmarrin disa veprime menaxheriale për sigurimin e disa informacioneve lidhur me grevën, në zbatimin e dispozitave ligjore…”.

Ndërsa, në komunikimin e fundit, Sefaj e ka informuar Spahiun se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur grevë të përgjithshme në sektorin publik që nga 25 gushti dhe ajo do të fillojë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 16:00.

“Kërkojmë nga ju të krijoni kushte dhe të mos pengoni mbajtjen e grevës, e cila ka për qëllim mbrojtjen dhe avancimin e statusit dhe të drejtave të shërbyesve civil. Greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të shërbimit civil”, është thënë në në e-mail që Ali Sefaj ia ka dërguar Enis Spahiut.

Këto kërcënime të Qeverisë së Kosovës janë kritikuar ashpër nga opozita, por edhe nga shoqëria civile.

Kjo është koorespodenca e plotë mes Sefajt dhe Spahiut, ku të përfshirë janë edhe të gjithë sekretarët apo zëvendësuesit e tyre nga Qeveria e Kosovës: