Gjatë ditëve të fundit është vërejtur se Qeveria në detyrë e vendit e drejtuar nga Albin Kurti ka manipuluar me numrin e viktimave nga koronavirusi. E pas raportimeve, shifrat siç duket u ndryshuan në heshtje.

Tashmë disa ditë në vendin tonë fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë viktimë nga koronavirusi. Sidoqoftë, ministria e Shëndetësisë po manipulon me numrin e atyre që janë shënuar deri tani.

Më i zëshmi sa i përket kësaj çështje ka qenë deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i cili zbuloi se sipas raportit të publikuar dje nga IKSHPK, rezulton se deri me datë 02.05.2020, në Kosovë kanë vdekur 25 persona nga COVID-19, ndërsa Ministria raporton për 22.

Përmes një shkrimi në Facebook ai ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për formën se si po informojnë për këtë temë mjaftë të rëndësishme.

“MSH duhet të jetë transparente dhe të përgjigjet përse po manipulon me të dhënat statistikore të të diagnostikuarve dhe të vdekurve me COVID-19.

Në raportin javor që ka publikuar IKSHPK, konfirmohet manipulimi me numër të rasteve të diagnostikuara dhe të fataliteteve me COVID-19.”, shkroi ai.

E pas raportimit të mediave lidhur me këtë çështje, Qeveria në detyrë siç duket i ka ndryshuar në heshtje numrat.

Kjo vërehet edhe në krahasimin që ka bërë Gazeta Metro nga shifrat e publikuara dje me ato sot, të cilat siç duket janë përditësuar, ani pse nuk ka pasur ndonjë viktimë.

Kujtojmë se deri sot në Kosovë janë identifikuar 855 raste me koronavirus ku prej tyre 403 janë shëruar dhe 26 kanë përfunduar me fatalitet.

Ndërkaq, pas raportimit për raste më të pakta për disa ditë radhazi, qytetet si Prishtina, Malisheva, Vitia e Klina kanë dalur nga karantina dhe qytetarëve nga sot u lejohet të dalin për tre orë në ditë.