Qeveria Kurti ia numëron vetes ngjarjet e javës: Më e rëndësishmja iu del medalja e argjendtë e pjesëtarëve të FSK-së

Qeveria e Kosovës po vazhdon të paraqes arritjet dhe sukseset e saj brenda javës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në rrjetin social “Facebook”, ka renditur “Top 5 ngjarjet e javës”.

Ngjarja më e rëndësishme e javës sipas Qeverisë Kurti ishte fitorja e medaljes së argjendtë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një garë ndërkombëtare ushtarake, fitore kjo e cila është arritur falë punës dhe angazhimit të pjesëtareve të FSK-së dhe jo që ka ndonjë meritë për këtë Qeveria e Kosovës.

“FSK fiton medaljen e argjendtë në mesin e 107 ekipeve të ushtrive ndërkombëtare, në një prej garave ushtarake më prestigjioze në botë”, thuhet në përshkrim.

Si ngjarje të dytë më të rëndësishme kanë konsideruar nënshkrimin e kontratave për subvencionimin e pajisjeve efiçiente të energjisë për qytetarë.

“Fillon nënshkrimi i kontratave të subvencionimit të pajisjeve efiçiente të energjisë për qytetarë. 6 milionë euro për mbi 6 mijë qytetarë brenda një jave”, shkruan në njoftim.

Po ashtu, Qeveria ka përmendur edhe ekzekutimin e shtesës prej 100 euro për pensionistë, hapja e aplikimit për mbështetje për 100 euro për studentë.

“Ekzekutohet shtesa prej 100 euro për 233 mijë pensionistë. Kjo është hera e tretë në 12 muajt e fundit që pensionistët përfitojnë nga mbështetja e Qeverisë. Hapet aplikimi për studentë për mbështetjen prej 100 euro nga Pakoja për Përballje me Inflacionin. Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që studentët përfitojnë nga mbështetja e Qeverisë”, thuhet në përshkrim.

Gjithashtu ngjarje e javës renditet edhe vendosja e gurthemelit të shkollës në Ponoshevc të Gjakovës, janë disa nga sukseset që qeveria i ka numëruar si vendime të javës së kaluar.

“Vendoset gurthemeli i shkollës në Ponoshec dhe i çerdhes në lagjen Rezinë të Gjakovës. Të dyja këto investime të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, thuhet më tej në përshkrim./Ballkani.info