Qeveria inicon ndryshime: A po i hapet apo mbyllet rrugë ‘Zajednicës’?

Ndryshimi i projektligjeve, që ndërlidhen me funksionimin e komunave në Kosovë nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, prej Asociacionit të Komunave të Kosovës po vlerësohet tejet i panevojshëm gjatë kësaj kohe. Burime të Gazetës Express, që kanë treguar për ndryshimet, kanë shprehur shqetësim se ndryshimi i Projektligjit për Vetëqeverisje Lokale mund t’i hapë rrugë krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas Qeverisë, me ndryshimet e Projektligjit për Vetëqeverisje Lokale, do të bllokohet krijimi i një entiteti njëetnik ‘sikurse Zajednica’.

Projektligji për Sistemin e Menaxhimit të Performancës, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal, Projektligji për Ligjit për Grantin e Katërt Qeveritar,  Plotësim ndryshimi i Ligjit Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës e projektligje tjera, po planifikohen të ndryshohen nga Ministria e Administrit të Pushtetit Lokal.

Kështu ka mësuar Express nga burime të saj, të cilat kanë shprehur shqetësimin nëse plotësimndryshimi i Projektligjit për Vetëqeverisjen Lokale i hap rrugë formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërsa, një informatë të tillë për ndryshimin e këtyre projektligjeve e kanë konfirmuar për Express edhe nga Qeveria e Kosovës.

Megjithatë, Zyra për Media e Qeverisë e ka mohuar se ndryshimi i këtyre projetligjeve i hap rrugë krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas ZKM-së, me këto ndryshime do të bllokohet krijimi i një entiteti njëetnik sikurse “Zajednica”

“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i qartë, nuk mund të ketë asociacion një etnik në Republikën e Kosovës. Në fakt, me ndryshimet e Projektligjit për Vetëqeverisje Lokale do të bllokohet krijimi i një entiteti një etnik sikurse Zajednica”, është thënë nga Qeveria.

Këto ndryshime vlerësohen prej Asociacionit të Komunave të Kosova krejtësisht të panevojshme në këtë kohë.

Ndërsa, se po planifikojnë plotësim ndryshimin e disa ligjeve, e ka konfirmuar edhe vet ministrit i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ai ka thënë për Express se kanë bërë një plan të ligjeve të cilat duhet të ndryshohen dhe të plotësohen.

Krasniqi ka deklaruar se këto ndryshime do të ja mundësojnë ministrisë funksionimin më të mirë, derisa ka mohuar se do t’i hapet rrugë formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne kemi bërë një plan të ligjeve të cilat duhet të ndryshohen dhe plotësohen. Secilave akte të komunave kanë kohë 15 ditë t’i rishikohet ligjshmëria. Në rast se nuk kthen përgjigje, ministria e marrin të aprovuar. Dhe kjo është një çështje shumë teknike brenda këtij ligji që ne po dëshirojmë ta ndryshojmë. Ka edhe çështje të tjera të cilat ia mundësojnë ministrisë funksionimin më të mirë mbi monitorimin e akteve të nivelit lokal. Tendenca është aty dhe të tjerat janë të parëndësishme”, ka shtuar Krasniqi.

Ndërsa, Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka kundërshtuar një iniciativë të tillë për plotësim ndryshimin e këtyre projektligjeve.

Kryetari i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi ka thënë për Express se ata nuk janë informuar nga ministria për mundësitë e ndryshimit të Ligjit për Vetëqeverisen Lokale.

Ai ka thënë se ndryshime të tilla nuk duhet të bëhen tani.

“Ne si Asociacion i Komunave nuk kemi qenë të kontaktuar sa i përket mundësisë së ndryshimit të Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale. Komunat përmes Asociacionit asnjëherë nuk e kanë ngritur nevojën për amendamentin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Mendojmë që nuk është momenti i duhur për t’i hyrë aventurave për ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe atij për zgjedhje lokale sepse viti 2021 është vit zgjedhore”, ka deklaruar.

Ibrahimi është shprehur se nëse Qeveria vendos për ndryshimin e këtyre ligjeve, atëherë ata do të marrin një qëndrim karshi këtyre ndryshimeve.

“Ne si AKK me plotë gojë mund të themi që Republika e Kosovës sa i përket decentralizimit të pushtetit dhe decentralizimit financiar është lidere në Evropën Juglindore por edhe më gjerë. Dhe që kemi që qeveri lokale shumë të konsoliduar dhe të avancuar. Sidoqoftë, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës vendos për ndryshimin e këtyre ligjeve. Atëherë Asociacioni i Komunave të Kosovës do të ketë qëndrimin e saj karshi këtyre ndryshimeve”, ka theksuar ai.

Ndërsa, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë deklaruar se motivet e plotësim ndryshimeve dhe hartimit të ligjeve të reja kanë të bëjnë me rritjen e efikasitetit të pushtetit lokal dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Nga kjo ministri kanë thënë se me plotësim ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, synojnë rritjen e zbatimit të ligjshmërisë në nivelin lokal.

“Kjo do të arrihet përmes zgjatjes së afatit të trajtimit të kërkesave për ligjshmërinë e akteve të pushtetit lokal nga ana e institucioneve qeveritare qendrore nga 15 ditë në 30 ditë. Afati i shkurtë ka bërë që shumë akte të mos marrin përgjigje nga institucionet qeveritare dhe si të paligjshme janë zbatuar nga komunat e Kosovës për shkak që është konsumuar afati kohor i paraparë me këtë ligj”, është thënë nga kjo ministri.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se plotësim ndryshimi i këtij ligji është nevojë në raport me zbatimin e obligimeve që kanë komunat, qoftë në aspektin e Asociacionit me Shumicë Serbe.

Ai është shprehur se ky ligj nuk mund të dal jashtë rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ky ligj është në gjendje qoftë të promovoj apo të kufizoj këto të drejta. Duke marrë për bazë që të drejtat e komuniteteve joshumicë në Kosovë janë përbërëse e Kushtetutës, janë pjesë e asaj që Kosova është e obliguar qenë mënyrë proaktive të promovojë të drejtat e komuniteteve në Kosovë në pajtim me standardet në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, ai ka thënë se të gjitha grupet që preken nga iniciativa të tilla ligjore, përfshirë këtu edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës duhet të përfshihen në diskutime.

Themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Në një nga pikat e para të marrëveshjes thuhet se në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës për këtë çështje, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi që të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Asociacionin.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.