Kryetari i Shtimes

Qeveria i ndau më shumë para, Aliu: S’u bë nami, Shtimja është ndër komunat më të pazhvilluara

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se “nuk është bë nami” që në shpërndarjen e fondeve për investime kapitale, Qeveria i ndau më shumë para kësaj komuna, sesa shumicës së komunave tjera.

Aliu tha se Shtimja është ndër komunat më të pazhvilluara në Kosovë.

“Nëse Komunës së Shtimes iu kanë financuar një ose dy projekte konkrete nga Qeveria, nuk është bë nami. Sepse ju e dini që Komuna e Shtimes është nga komunat më pak të zhvilluara në gjithë Republikën e Kosovës. Sidomos në raport me komunat fqinje, Ferizajn, Lipjanin, Suharekën, ne kemi ngelë mbrapa me zhvillim”, tha Aliu në një prononcim për T7.

“Në emër të parazisë, jo 2 milionë, por ndoshta edhe 10 milionë me ia dhënë Shtimes më shumë nuk është mjaftueshëm sepse derisa qytetet tjera kanë shfrytëzuar përkatësinë politike për me bë edhe autostrada me katër korsi në mes të qytetit, ne kemi akoma rrugë dhe rrugica në mes të qytetit ku qytetarët detyrohet me ecë nëpër baltë”, shtoi ai.

Aliu tha se motoja e Qeverisë është barazia, dhe se në emër të kësaj, “Shtimja meriton vëmendje pak më të shtuar për shkak të nivelit të saj zhvillimor”.

“Nuk është kijameti që Shtimja e ka një projekt më shumë”, tha ai.

Shtimja tha se presin implementimin e projekteve të propozuara nga kjo komunë që kjo komunë të avansojë “si komunat e tjera përreth”.

“Nuk ka nevojë për xhelozi”, tha ai, duke shtuar se disa kryetarë komunash po merren me “agjenda të politikave qendrore”.