Qeveria e Kosovës parasheh që pas numrit të lartë të rasteve të reja me koronavirus të pezullohet puna në tregjet publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve.

Sipas propozim-vendimit të qeverisë do të pezullohen edhe ceremonitë në Institucionet fetare si dhe do të ndalohet grumbullimi i qytetarëve më shumë se 5 persona në sheshet publike.

“Pezullohen puna në tregjet publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Pezullohen ceremonitë fetare në Institucionet fetare në Republikën e Kosovës. Ndalohet grumbullimi i  qytetarëve më shumë se 5 persona në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme. Obligohen operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal, sipas masave në fuqi për emergjencën në shëndetin publik”, thuhet në propozim-vendimin e qeverisë.

Qeveria e Kosovës parasheh që personat  mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike të dalin jashtë në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit dhe orët e mbrëmjes.