Qetësohen gjakrat te Feronikeli, Duro e drejton ekipin në stërvitje

Duket se tashmë janë qetësuar gjakrat tek Feronikeli pas incidentit që ndodhi dje pas ndeshjes në mes të këtij ekipi ndaj Arbërisë.

“Nikli” u mposht 0:1 dhe vazhdoi kështu me rezultate negative në një sezon për t’u harruar.

Dhe, teksa trajneri Klodian Duro ishte duke dhënë deklaratë pas ndeshjes, shihet duke intervenuar shefi i sigurisë, Adem Bucolli, i cili e kërkoi largimin e menjëhershëm të trajnerit shqiptar.

Në të kundërtën, u shpreh se do të largohej vetë nga klubi.

Deri tash, Feronikeli nuk ka dalë me një deklaratë apo sqarim për këtë rast.

Por, “Gazeta Express” e ka kontaktuar zëdhënësin e klubit, Erlind Krasniqi, i cili foli për rastin e djeshëm derisa shtoi se edhe klubi do të japë sqarime ndërkohë.

“Për momentin nuk ka diçka, klubi ka dalë me një komunikatë në lidhje me mendimin e shprehur nga Adem Bucolli. Nuk do të thosha se ishte një incident e as skandal, pasi që ai e ka shprehur mendimin e tij dhe nuk e ka cenuar e as rrezikuar askënd. Të gjithë e dimë se si funksionon klubi, është presidenti ai që i emëron ose liron trajnerët. Nuk jemi klub diktatorial që ta ndalim mendimin e askujt. Ademi ka 20 vjet që është pjesë e klubit dhe është më se normale që shqetësohet për pozitën tabelare. Të shqetësuar jemi të gjithë, përfshirë këtu edhe trajnerin”, deklaroi fillimisht Krasniqi.

“Ka qenë gjithçka e momentit, pasi që Duro momentalisht është duke e stërvitur skuadrën dhe Ademi normal që është dhe do të jetë pjesë e klubit. Besoj që në mbrëmje do të ketë diskutime më të detajuara sa i përket kësaj çështjeje”, përfundoi zëdhënësi i klubit nga Drenasi.