Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi, tha se zyrtarët e Gjykatës Speciale po bashkëpunojnë me kriminelë të Serbisë dhe padrejtësisht po arrestojnë ish-pjesëtarë të UÇK-së.

“Sepse këta zyrtarë që po bastisin këtu dhe zyrtarët e Gjykatës Speciale janë duke bashkëpunuar me kriminelët serbë të cilët kanë kryer krime. I kemi edhe këtu afër dhe padrejtësisht po merren me luftëtarët e UÇK-së”, tha Qeriqi.

Policia e EULEX-it po qëndron në oborrin e shtëpisë se ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Negroc të Drenasit, por ende nuk është konfirmuar se a ka filluar bastisja në këtë shtëpi.

Qeriqi tha se nuk kanë informacione rreth kësaj, por sipas tij, familjarët e Krasniqit janë të izoluar

“Këtu brenda familjarët e tjerë të zotit Krasniqi janë të izoluar, nuk kemi informata të tjera se a ka filluar bastisja”, derisa shtoi se nuk kanë informata nëse do të ketë bastisje në shtëpitë e ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së.

Qeriqi tha se janë të shqetësuar me zhvillimet rreth bastisjeve qe po i bën Specialja. Ai shtoi se janë në kontakt me OVL-UÇK dhe do të shohin si të veprojnë tutje, pas këtyre zhvillimeve.

Hetuesit e Speciales në orët e hershme të mëngjesit kanë nisur sot operacionin në shtëpitë e Jakup Krasniqit, në Prishtinë, ndonëse kanë kaluar 9 orë, ende nuk ka përfunduar ky operacion.

Avokati i Krasniqit, Valon Hasani ka deklaruar se Specialja e ka konfirmuar aktakuzën kundër Jakup Krasniqit.