“Qenka tmerr”, postimi i fundit i gazetares që vdiq nga COVID-19

Gazetarja e njohur nga Shkodra, Anila Dushi ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm pasi nuk arriti të mposhte betejën me Covid-19.

Pak ditë më parë, ajo kishte treguar përjetimet e saj me virusin nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Kam besuar qe në fillim se Covid-19 është një luftë botërore. Kam dëgjuar mjaft nga ata që e kanë kaluar. Por qenka Tmerr”, kishte shkruar gazetarja para disa ditësh.

Dushi ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare në spitalin rajonal të Shkodrës. Prej vitesh ajo punonte gazetare në shtypin e shkruar dhe në televizione lokale e kombëtare.

Miq dhe kolegë të së ndjerës kanë shprehur pikëllimet e tyre nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.

“E vështirë me e nis ditën me një lajm të trishtueshëm! Anila Dushi, shoqe, mike, mësuese e gazetare, nuk asht ma mes nesh. Humbje për gazetarinë, publicistikën, miqtë e të njohurit e shumtë e mbi të gjitha për të afërmit. Pushofsh në në paqe Anilë, do të të kujtojmë gjithmonë! Lamtumirë!”, është shprehur kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.