Qëndrim Gashi bën homazhe tek Harku i Triumfit në Paris, për nder të 13 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ka bërë homazhe tek Harku i Triumfit në Paris, në nderë të përvjetorit të 13 të Pavarësisë së Kosovës.

“Rindezja e Flakës tek varri i ushtarit të panjohur ngjall gjithmonë plot emocione. Kjo flakë është rindezur çdo ditë që nga viti 1923 dhe aty zhvillohen ceremoni të rëndësishme shtetërore. Kisha kënaqësinë të shoqërohem nga atasheu i mbrojtjes nënkolonel Ali Krasniqi, si dhe stafi i Ambasadës e mysafirë të tjerë, përfshirë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Francë si dhe studentë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se këtu u përkul për të nderuar sakrificën për liri.

“ U përkulëm për t’i nderuar ata që u sakrifikuan për liri. Ata që e kanë mbrojtur si dhe ata që e mbrojnë lirinë në Kosovë, në Francë e kudo në botë. Qe moment për t’i shprehur mirënjohje atyre që i vunë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës. Vet ngjarja ka  simbolikë të fortë për miqësinë ndërmjet dy shteteve tona”, ka përfunduar ai.