Mesfushori i Manchester United, Nemanja Matiq ka thënë se nuk do ta mbajë lulen e kuqe në fanellë, e cila nga britanikët mbahet gjatë nëntorit në shenj përkujtimi për ushtarët britanikë, për shkak se i kujton bombardimet e NATO-s në fshatin e tij kur serbi ishte 12 vjeçar.

Bombardimet ishin të iniciuara nga forcat e NATO-s me qëllim t’i largonin forcat serbe nga Kosova, të cila vranë mijëra shqiptarë të pafajshëm.

Matiq ishte futbollisti i vetëm i Unitedit që nuk kishte lule në fitoren e “Djajve të Kuq” ndaj Borunemouthit fundjavën e kaluar, shkruan Ballkani.info.

30 vjeçari serb përmes një postimi në Instagram ka treguar se e respekton të drejtën e secilit për të mbajtur lule, teksa konfirmoi se ai nuk do ta bëjë një gjë të tillë në derbin e qyetit kundër Manchester Cityt këtë të dielë.

“Jam i vetëdijshëm për arsyen pse njerëzit këtu mbajnë lule, dhe e respektoj plotësisht të drejtën e secilit për të bërë diçka të tillë, gjitashtu bashkëndjejë me të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre për shkak të konflikteve. Sidoqoftë për mua është vetëm rikujtim i një sulmi që e kam përjetuar si 12 vjeçar i frikësuar, teksa vendi im ishte duke u shkatërruar nga bombardimet në vitin 1999. Pavarësisht se e kam vendosur më herët, tani mendoj se nuk është e drejtë ta mbaj lulen në fanellën time. Shpresoj se të gjithë do ta mirëkuptojnë arsyen time dhe unë do të mund të foksuohem t’i ndihmoj skuadrës time”, shkruan Matiq në Instagram.

Ai u kritikua shumë nga mediat dhe fansat e Unitedit.